Drejtorët e BDI-së dërgojnë kontrolle tek kryetarët e komunave nga radhët e tyre të cilët kundërshtuan koalicionimin me VMRO-DPMNE-në. Ditë më parë policia financiare trokiti në derën e kryetarit të Gostivarit, Nevzat Bejta, ndërsa më pas edhe në komunën e Teuta Arifit dhe Izet Mexhitit. Ishin pikërisht këta nënkryetar të Bashkimit Demokratik për Integrim , disa prej të cilëve kundërshtuan koalicionimin me VMRO-DPMNE-në.
“Ky është inspektorati i tregut, i cili këto ditë po bën kontrolle nëpër komunat e Tetovës dhe të Çairit. Siç thanë nga ky institucion, respektivisht drejtori në bisedë telefonike me neve tha që kontrollet janë të zakonshme dhe nuk kanë asnjë tendencë ose prapavijë. Ai tha se kontrolle janë bërë vetëm në Komunën e Tetovës, për të vërtetuar nëse po respektohet ligji anti-duhan. Por, në Komunën e Çairit, ai mohon të ketë kontrolle të tilla”
Por, drejtori Alajdin Avziu megjithatë paralajmëroi kontrolle edhe në tre ditët në vazhdim nëpër të gjithë institucionet shtetërore dhe firmat private, duke mos përjashtuar edhe kontrollet në Çair. Avziu tha se kontrolle anti-duhan ka pasur edhe në Komunën e Strumicës, Prilepit, Velesit, Manastirit e jo vetëm në komunat shqiptare që i publikuan mediat.
“Jemi në terren këto dy tre ditë, me punën që e bën inspektorati dhe do të vazhdojmë me kontrolle në çdo institucion shtetëror dhe në kompani private. Ne vetëm kontrollojmë nëse aplikohet ligji. Nuk kuptoj prej nga doli kjo temë. Kjo nuk është temë, kjo është punë normale e inspektoratit dhe nuk ka të bëjë me mënyrën se si janë plasuar lajmet”, ka deklaruar Alajdin Avziu, drejtor i Inspektoratit të Punës .
Një kuadër tjetër i BDI-së i cili kontrolloi komunën e Gostivarit ditë më parë është Berat Dehari. Ky zëvendës drejtor i policisë financiare për Televizionin Shenja, tha se kontrollet kanë qenë po ashtu të zakonshme, megjithatë tha se prej atë ditë, inspektorët më nuk janë shfaqur në komunën e drejtuar nga Bejta.
“Kishim deklaratë menjëherë pas kontrolli dhe mund ta shihni se për çfarë veprimtarie bëhet fjalë. Më prej atë ditë nuk ka pasur kontrolle”, deklaroi Berat Dehari, zëvendës drejtor i Policisë Financiare.
Nga Inspektorati i Punës thanë se në komunën e Tetovës nuk janë vërejtur parregullsi, dhe se është inspektuar administrat e komunës e jo zyrja e kryetares. Ndërsa nga policia financiare nuk dhanë detaje për natyrën e kontrollit dhe nëse kanë vërejtur ndonjë parregullsi. Televizioni Shenja tentoi të vihet në kontakt edhe me komunën e Tetovës dhe atë të Çairit por nuk patëm asnjë përgjigje nëse kanë vazhduar kontrollet. Kryetar i Gostivarit kohë më parë denoncoi inspektimin e policisë financiare duke e cilësuar si “mesazh” nga VMRO-DPMNE-ja” pasi që ishte kundër koalicionit me këtë parti. Ndërsa nga komuna e Tetovës ironizuan me ditën kur është bërë kontrolli pasi që ishte menjëherë pas refuzimit për të përkrahur qeverisjen me VMRO-DPMNE-në.