Tragjedia në Koçan në të cilën humbën jetën 59 të rinj dhe tronditi mbarë vendin kërkon hetim jo selektiv, të plotë dhe gjithëpërfshirës që do të përcaktojë të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë, thonë nga LSDM. Kushdo që është përgjegjës, shtojnë ata – qoftë ish-zyrtar apo aktual – duhet të sillet para drejtësisë. Megjithatë, nga kjo parti thonë se e shohin me shqetësim rrjedhën aktuale të hetimit. Të gjitha analizat nxjerrin në pah përshtypjen se rrjedha aktuale e hetimeve është selektive dhe e drejtuar ekskluzivisht ndaj ish-funksionarëve dhe zyrtarëve, thotë LSDM, transmeton Portalb.mk.
“Deri më tani nuk ka asnjë zyrtar aktual, edhe pse tragjedia ka ndodhur pikërisht në kohën kur ata ishin në pozitat e përgjegjësisë. Drejtësia selektive nuk është drejtësi. Pse asnjë zyrtar aktual nuk është i përfshirë në hetimin e Koçanit? Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, dy ish-drejtorë të ISHT-së janë përfshirë në hetim për mosveprim të pretenduar. Por logjikisht shtrohet pyetja: pse drejtori aktual i ISHT-së, Vlatko Stojkoski nuk është pjesë e hetimeve? A nuk është i detyruar të përgjigjet për kompetencat e ISHT-së dhe punën e shërbimeve të inspektimit para dhe në momentin e tragjedisë?”, pyesin nga LSDM.
Në mënyrë shtesë, shtrojnë pyetjen se përse nuk hetohen personat përgjegjës që kanë qenë në pozitat e MPB-së, përkatësisht komandantët, inspektorët dhe udhëheqësia e DPB Koçan dhe SPB Shtip, të cilët ligjërisht kanë qenë të obliguar për sigurimin e ngjarjes?
“Si është e mundur të injorohen ata që ishin në detyrë në mbrëmje, në pozicion dhe me detyrim ligjor për të vepruar – por nuk e bënë këtë? Nuk ka përgjigje për pyetjet, a është e vërtetë që të shtatë punonjësit e ndaluar të MPB-së nuk kanë qenë në detyrë natën e tragjedisë? Këto çështje janë legjitime dhe nuk guxojnë të heshtin institucionet kompetente – Prokuroria Publike dhe MPB. Nuk mund të ketë drejtësi të vërtetë pa një hetim të plotë dhe jo selektiv”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Reagim të ngjashëm kjo parti pati edhe gjatë ditës së djeshme.
Në zjarrin e rënë në diskotekën “Pulse” më 16 mars 2025, jetën e humbën 59 persona, midis të cilëve 6 të mitur, u lënduan 196 persona të cilët trajtohen brenda dhe jashtë vendit.
Ndryshe, Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.
Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.