Pas shpalljes së vendeve vakante nga Kuvendi i Shqipërisë për Anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e avokatëve dhe të shoqërisë civile, si dhe për Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve dhe të shoqërisë civile, kanë nisur edhe aplikimet.
Në mënyrë që ky proces të jetë sa më transparent, institucioni i Avokatit të Popullit ka krijuar një hapësirë të posacme të titulluar “Reforma në Drejtësi” në faqen zyrtare të institucionit www.avokatipopullit.gov.al, ku do të publikohen të gjitha informacionet që lidhen me kandidimet, por edhe korrespondencat me institucionet e tjera të përfshira në procesin e vënies në zbatim të kësaj reforme.
Sipas zyrës së Avokatit të Popullit, aplikimet do të pranohen çdo ditë nga e hëna në të premte nga ora 08.30 – 16:30.
“Avokati i Popullit ka nisur punën për vënien në zbatim të Reformës në Drejtësi në përputhje me kompetencat që parashikon ligji në këtë drejtim. Avokati i Popullit është i vendosur që të realizojë të gjitha detyrat e ngarkuara nga ligji me përgjegjshmëri dhe transparencë të plotë mbi atë pjesë të procesit, për të cilën ngarkohet me kryerjen e procedurave specifike dhe kompetencave konkrete.
Shprehja e interesit të kandidatëve dhe dokumentet shoqëruese duhet të dërgohen në adresën elektronike [email protected], si dhe në adresën postare të Avokatit të Popullit: Blv. “Zhan D’Ark”, Nr. 2, Tiranë. Ftojmë të gjithë të interesuarit që plotësojnë kriteret e përcaktuara në ligj, që brenda datës 28 janar 2017, të shprehin interesin e tyre përmes një kërkese me shkrim drejtuar Avokatit të Popullit”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.
Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë dy institucione kyçe të sistemit të drejtësisë, të cilat parashikojnë të funksionojnë prej muajit prill të vitit 2017.
16 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)