Shkruan: Prof. Dr. Metin Izeti
Draft-ligji i ri (viti 2026) synon integrimin e plotë në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA) përmes neneve që kërkojnë standarde të larta akademike dhe operacionale. Megjithatë, vendosja e këtyre normave pa një bazë paraprake teknike dhe intelektuale krijon një “paradoks ligjor”: kërkohet cilësi evropiane me infrastrukturë shpeshherë të degraduar.
Nenet që rregullojnë standardet e akreditimit dhe vlerësimit të cilësisë (p.sh., Neni 4 dhe Neni 55) kërkojnë që institucionet të plotësojnë standardet evropiane (ESG). Për të arritur këto standarde, universitetet duhet të kenë laboratorë modernë, biblioteka digjitale dhe kampuse funksionale. Në kushtet e Maqedonisë, ku shumë fakultete operojnë në ndërtesa të vjetra dhe me mungesë të theksuar të mjeteve teknologjike, zbatimi i menjëhershëm i këtyre neneve rrezikon të kthehet në një ushtrim burokratik të “plotësimit të letrave” pa pasur asnjë ndryshim substancial në terren.
Draft-ligji (p.sh. Neni 124) vendos kritere strikte për organizimin e studimeve të doktoraturës, duke i kufizuar ato vetëm te universitetet më të mirërenditura. Kjo kërkesë synon cilësinë, por injoron faktin se kapitali intelektual po pakësohet për shkak të emigrimit të kuadrove të reja. Pa një plan investimi në “infrastrukturën intelektuale” (bursa kërkimore, rritje pagash, kushte pune), ligji vetëm sa do të dënojë institucionet që nuk kanë kapacitete për shkak të neglizhencës shtetërore ndër vite.
Ligji u jep universiteteve autonomi financiare për të menaxhuar të hyrat veta dhe detyron investimin e të paktën 40% të mjeteve nga participimi në zhvillim (Nenet 10, 112). Në një vend me ekonomi të dobët, kjo “autonomi” shpesh përkthehet në braktisje nga ana e shtetit. Universitetet detyrohen të mbijetojnë përmes tarifave të studentëve (participimit), të cilat pastaj supozohet t’i përdorin për të ndërtuar atë infrastrukturë që shteti nuk e ka siguruar për dekada. Kjo rëndon drejtpërdrejt xhepin e studentit pa garantuar përmirësimin e shërbimit.
Nevoja për një Plan Paraprak 5-Vjeçar
Një plan 5-vjeçar për ndërtimin e infrastrukturës teknike dhe intelektuale përpara propozimit të ligjit është një domosdoshmëri logjike për disa arsye:
• Përgatitja e Terrenit: Një ligj duhet të jetë kurora e një procesi zhvillimor, jo pika e fillimit pa mjete. Plani do të duhej të siguronte:
a. Renovimin e plotë të laboratorëve dhe objekteve akademike.
b. Digjitalizimin e proceseve mësimore (që përmendet te Neni 67 si detyrim, por pa financim të garantuar).
c. Rritja e kapaciteteve Intelektuale: Para se të kërkohen publikime në baza prestigjioze si Web of Science (siç kërkohet te Neni 2), duhet krijuar fondi kombëtar për kërkim shkencor që mbulon kostot e këtyre hulumtimeve.
b. Sinkronizimi: Implementimi i menjëhershëm i neneve ndëshkuese (si gjobat te Neni 203) pa u dhënë institucioneve mjetet për t’u përmirësuar, mund të çojë në mbylljen e shumë programeve studimore, duke dëmtuar studentët dhe qasjen në arsimin e lartë.
Draft-ligji duket si një dokument i përkthyer nga standardet evropiane pa u përshtatur me “specifikën e kontekstit nacional” që ai vetë pretendon se e mbron (Neni 3, pika 16). Pa një fazë tranzitore investimesh masive, ky ligj rrezikon të mbetet një “fasadë evropiane” mbi një strukturë arsimore të brishtë dhe të lënë pas dore.


