Drejtori i Klinikës dhe endokrinologu i njohur, dr. Irfan Ahmeti, ka zhvilluar sot një takim miqësor me Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Denion Meidani.
Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë të këndshme dhe konstruktive, u diskutuan një sërë çështjesh nga fusha të ndryshme të jetës shoqërore, kulturore dhe shëndetësore, me të cilat përballen qytetarët në përditshmëri.
Dr. Ahmeti theksoi se ishte i befasuar pozitivisht nga njohuritë e detajuara të ambasadorit Meidani lidhur me problemet rreth objektit të shkollës së Nerovës në Krushevë, si dhe interesimin e tij për ngritjen e nivelit kulturor të shqiptarëve në rrafshin e Pellagonisë, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe parandalimin e migrimit nga ky rajon, duke synuar krijimin e një mjedisi të shëndoshë dhe të qëndrueshëm.
Po ashtu, gjatë takimit u dakorduan që në pranverë të realizohet një vizitë në Cërnilisht dhe në fshatrat e tjera të komunës së Dollnenit, ku do të njihet nga afër tradita shekullore e mikpritjes dhe zakonet e kësaj popullate.
Në fund, dr. Irfan Ahmeti falënderoi ambasadorin Denion Meidani për kohën e ndarë dhe për gatishmërinë për bashkëpunim në çështje me interes të përbashkët.


