Parandalimi i rritjes së pagave të funksionarëve nga marsi pritet të bëhet me ndryshime ligjore. Grupi i deputetëve të LSDM-së të martën dorëzoi nismën në Kuvend për ndryshimin dhe plotësimin e 6 ligjeve, shkruan Alsat.
Me procedurë të shpejtë pritet që të mërkurën në seancë plenare të votohet nevoja për këto ndryshime dhe nëse ka konsensus mund të miratohet në po të njëjtën seancë.
Kryetari i Kuvendit Jovan Mitrevski pritet që këto propozime t’i shpërndajë në komisionet amë.
NISMA PËR NDRYSHIMIN E 6 LIGJEVE:
Ligji për Deputetët
Ligji i Pagave dhe Mëditjeve të tjera për të Zgjedhurit
Ligji për Pagat e Gjykatësve
Ligji për Pagat e Prokurorëve Publikë
Ligji për Pagat e Anëtarëve të Këshillit Gjyqësor
Ligji për Pagat e Anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë
Deputeti i LSDM-së, Martin Kostovski tha se kërkohet ulja e koeficientit në mënyrë që pagat të mbeten të njëjta. Kjo nuk do të thotë se pagat e rritura në masën 78% marsin e kaluar do të ulen. Sipas Kostovskit, këto ligje duhet të ndryshohen urgjentisht, përndryshe rritja e pagave të zyrtarëve do të arrijë në plus 15,3%. Ai tha nga partneri qeverisës BDI mungoi vullneti për pengimin e rritjes së pagave të zyrtarëve.
“Propozimi për ndryshimin e Ligjit të Deputetëve, në nenin 29 – paragrafi 2, koeficienti i pagave të deputetëve është nga 3,04-3,92 kurse ishin 3,05-4,1. Jo rastësisht filloj nga deputetë sepse ne pa drejtë jemi në kritikat e opinionit, bëhet fjalë për 120 deputetë kurse të gjithë funksionarët janë 1,060. Ligji për pagat dhe mëditjet e tjera si për shembull presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit koeficienti 4,50 ndryshohet me 3,92. Kështu është bërë mos të ketë rritje drastike të pagave”, tha Martin Kostovski, Deputet LSDM.
Ndërkohë ndryshimet ligjore nuk përfshijnë të emëruarit nga Qeveria. Bëhet fjalë për rreth 200 drejtorë, të cilët nga marsi do t’i gëzohen rritjes së pagave.
Meqë Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar bazën fikse për pagat e funksionarëve, zgjidhje e vetme ligjore është të intervenohet në 6 ligje, që do të pengojë rritjen e mëtejme të pagave të 1060 funksionarëve.
Krerët e shtetit, deputetët, ministrat e zëvendësministra, gjykatës, prokurorë, drejtorë, zëvendësdrejtorë, kryetarë komunash dhe gjithë personat e tjerë të përzgjedhur dhe të emëruar po të mos miratohen këto ndryshime ligjore do të marrin rritje varësisht koeficientit nga 300 deri në 500 euro më shumë nga pagat e marsit, duke u bazuar në harmonizimin e pagave të pagës minimale, e cila pritet të rritet për rreth 10% në nivel vendi./ Alsat.mk