Për më shumë se një muaj kuadrot e ish-partnerit të koalicionit qeveritarë, Aleanca për Shqiptarët, marrin rrogë nga buxheti i Maqedonisë edhe pse të njejtët nuk paraqiten nëpër vendet e punës që nga data 27 dhjetor kur edhe kanë deponuar në Qeveri dorëheqjet e tyre.
Bisedimet me ndonjë subjekt tjetër politik apo mosmarrja vesh ende me partnerin aktual të koalicionit, Bashkimin Demokratik për Integrim, mund të jenë disa nga arsyet e kësaj vonese, thotë Elmi Aziri, nga ASH. Sipas tij, as ata vet nuk e kuptojnë shkarkimin e vetëm dy drejtorëve të Aleancës, atij të Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti dhe i ndërmarrjes publike Agrobursa e Maqedonisë.
“ Ne më 27 dhe 28 dhjetor i kemi dorëzuar dorëheqjet tona dhe nga ajo ditë zv/ministrat nuk shkojnë në punë, ndërsa drejtorët, që janë njerëzit e parë nëpër institucioneshkojnë vetëm kur kanë për të nënshkruar për rrogat apo ndonjë document tjetër, që të mos bllokohen institucionet . Faktikisht ne nuk marrim pjesë në menaxhim të institucioneve. Nga ne është e pastër gjithçka, tani është problem atyre se përse nuk i miratojnë”- tha Elmi Aziri, sekretar i përgjithshëm i ASH.
Në përgjigjen e Qeverisë, si arsye për këtë vonesë përmendet mungesa e emrave që do të ulen në karriget që ngelen bosh me largimin e zv.ministrave dhe drejtorëve të partisë së Ziadin Selës.
„ Drejtorët dhe zv.ministrat nga rradhët e Aleancës për Shqiptarët i kanë deponuar dorëheqjet e tyre në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Të njëjtat do të procesohen më tutje, kur do të bëhen të ditur emrat e rinj me të cilët do të plotësohen vendet që do të ngelen bosh”- thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.
Ditë më parë kreu u Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, këtë vonesë e quajti lojë politike.
Nga LSDM-ja thonë se pritet që pas dy javësh 2 javësh pasi të bisedohet me partnerin e koalicionit, të bëhen të ditur emrat e rinj për rreth 10 poste të cilat do të mbesin pa drejtues pas konstatimit të dorëheqjeve të kuadrove të ASH-së.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com