18 Tetor 2018 / 14:02
Dorëheqja e papritur e ish Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kocias shkaktoi reagime të shumta. Zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Canakopulos hodhi poshtë interpretimet se Kocias nuk ishte në linjë me politikën e Qeverisë, duke kërkuar që vetë Kocias të sqarojë pse doli nga ekzekutivi. Canakopulos shtoi se tashmë kanë marr fund mos-marrëveshjet brenda Qeverisë dhe se i mbetet që me unitet, seriozitet dhe plan politik të përballet me sfidat e ardhshme, për të mirën e popullit grek.
Kemi përcaktim të qartë politik si Qeveri dhe synim të qartë politik që Marrëveshja e Prespës të hyjë në fuqi. Asnjëherë nuk ka pasur dilemë mes Kociasit apo Kamenosit, interpretimi i tillë i ngjarjeve nuk ka bazë. Nuk ka dhe as ka pasur ndonjëherë hije mbi integritetin moral të Kociasit”- tha Dimitris Canakopulos, Zëdhënës i Qeverisë së Greqisë.
Canakopulos u shpreh se kryeministri, Zoran Zaev ka telefonuar homologun e tij grek, Aleksis Cipras, por pa komentuar situatën e brendshme në Greqi, dy kryeministrat kanë përsëritur përkushtimin për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës. Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov theksoi se me Kociasin arritën të pamundurën.
Të udhëhequr nga kryeministrat, Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, me Ministrin për punë të Jashtme, Kocias kishim muaj intenziv të komunikimit, u bëmë miq të vërtetë dhe në periudhë prej 1 viti arritëm të bënim atë që 27 vitet e kaluara ishte e pamundur- i afruam dy vendet tona dhe lidhëm Marrëveshjen historike të Prespës, duke ndërtuar urë miqësie dhe duke dëshmuar se rajoni ynë mund të zgjidhë mosmarrëveshje dhe të krijojë ardhmëri”- theksoi Nikolla Dimitrov, ministër i Jashtëm.
Departamenti Amerikan i Shtetit falënderoi Kociasin për kontributin e dhënë në arritjen e marrëveshjes për emrin, me ç’rast edhe një herë ftoi aktorët politik ta zbatojnë.
Derisa në Kuvendin e Maqedonisë vazhdon debati mbi amendamentet kushtetuese, inkurajojmë liderët t’i kapërcejnë interesat partiake dhe shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të siguruar të ardhme më të ndritur për vendin”- thonë nga DASH.
Për liderin e partisë më të madhe opozitare, Demokracia e Re, Micotakis shkarkimi dëshmon se qeveria është jo stabile prandaj nevojiten zgjedhje të reja.
Kryeministri shkarkoi mbështetësin më të madh të Marrëveshjes së Prespës, duke e mbajtur në kabinet Ministrin e Mbrojtjes, Kamenos, kundërshtarin e zëshëm të marrëveshjes IRJM-Greqi, që e nënshkroi Kocias. Ditë më parë e përshkrova Qeverinë Cipras-Kamenos si koalicion cinik dhe kam frikë se zhvillimet e sotme dëshmuan se kisha të drejtë”- u shpreh Kyriakos Micotakis, nga Demokracia e Re.
Kocias ishte një nga kreatorët e Marrëveshjes së Prespës, i cili shumë herë gjatë periudhës së negociatave u kërcënua me jetën e tij dhe të familjarëve. Dorëheqja e tij vjen pas debatit të ashpër me Ministrin e Mbrojtjes Kamenos, i cili kishte propozuar një marrëveshje që do ta zëvendësonte atë të emrit. Në krye të dikasterit të jashtëm erdhi vetë kryeministri, Cipras por mbetet e paqartë se çfarë epilogu mori propozimi i Kamenosit.
Anesa Salihu


