
Bilal Shehu, pronari 48-vjeçar i servisit të makinave limousine “Paramus” u dënua nga një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara me një vit liri me kusht për rolin e tij në një donacion të dyshimtë, i cili më pas rezultoi në fotografinë e Edi Ramës, që më vonë do të bëhej kryeministër i Shqipërisë, me ish-presidentin amerikan Barack Obama.
Fotoja u realizua gjatë një eventi bamirësie. Në sallën e gjyqit, Shehu i është lutur gjykatëses për një shans të dytë, ndërkohë që përballej me mundësinë e një dënimi prej 12 deri në 18 muaj heqje lirie.
Më shumë se një duzinë miqsh dhe familjarësh ishin të pranishëm gjatë seancës në mbështetje të të pandehurit. Gjykatësja duket se u bind nga pendesa e thellë e 48-vjeçarit.
Kur u mor në pyetje nga përfaqësuesi ligjor i Departamentit të Drejtësisë, Peter N. Halpern, Shehu e pranoi tetorin e vitit 2012 se kishte ndihmuar dhe nxitur një qytetare nga Greqia dhe një kompani të huaj t’i dhuronin 80.000 dollarë Komitetit të Mbledhjes së Fondeve për Obamën.
Falë kësaj, ai siguroi një ftesë për vete dhe një për të ftuarin që do të merrte pjesë në eventin ku do të ishte i pranishëm shefi i Shtepisë së Bardhë.
Shehu dhe Rama, që asokohe garonte për postin e kryeministrit, nuk u lejuan të hynin, megjithatë kreu socialist arriti ta realizonte fotografinë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, gjë që sipas liderëve të opozitës ndihmoi në zgjedhjen e tij.
Avokati i Shehut i tha gjykatëses së klienti i tij ishte një njeri i nderuar që bëri një gabim të madh e që tani po vuan pasojat e tij, duke nisur nga humbja e biznesit.
3 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com) / Top Channel