Është zbardhur drafti i Amnistisë Penale, një nismë ligjore që synon zbutjen e dënimeve për një pjesë të të dënuarve dhe lehtësimin e integrimit të tyre në shoqëri.
Sipas draftit të siguruar nga Panorama Online, Kuvendi i Shqipërisë po shqyrton mundësinë që disa kategori të të dënuarve të përjashtohen nga vuajtja e dënimit ose nga ndjekja penale për veprat e kryera deri më 31 dhjetor 2025.
Ligji parashikon përfshirjen e personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me dënime deri në tre vjet burg për burrat dhe deri në katër vjet për gratë, përfshirë edhe format alternative të dënimit, si gjoba apo shërbimi në komunitet.
Për të dënuarit që ende vuajnë dënimin, drafti parashikon përjashtim nga burgu nëse u kanë mbetur për të vuajtur deri në tre vjet burrave dhe deri në katër vjet grave. Amnistia përfshin gjithashtu të moshuarit, duke nisur nga 60 vjeç për burrat dhe 50 vjeç për gratë, si dhe personat që kanë qenë të mitur në kohën e kryerjes së veprës penale.
Megjithatë, drafti përcakton qartë edhe kategoritë që përjashtohen nga përfitimi i amnistisë. Nuk përfitojnë personat që i janë shmangur drejtësisë, si të arratisurit apo të fshehurit, si dhe të dënuarit për krime të rënda, përfshirë krimet kundër jetës dhe njerëzimit, krimet seksuale, terrorizmin, veprat që cenojnë rendin kushtetues, autoritetin e shtetit, mjedisin, ekonominë dhe pasurinë, si edhe veprat penale që lidhen me zgjedhjet dhe demokracinë.
Po ashtu, amnistia nuk do të zbatohet për personat e dënuar me burgim të përjetshëm, si dhe për ata që gjykohen ose hetohen nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Drafti parashikon edhe ulje dënimi për ata që nuk përfitojnë amnisti të plotë. Për burrat, dënimi mund të ulet me një vit, ndërsa për gratë dhe të miturit ulja mund të arrijë deri në një vit e gjysmë. Për çështjet penale që janë ende në fazë hetimi ose gjykimi, ligji parashikon mundësinë e pezullimit të ndjekjes penale, gjithmonë duke respektuar kufizimet për krimet e rënda.
Qëllimi i kësaj nisme ligjore është rritja e eficiencës së sistemit të drejtësisë, ofrimi i mundësive për rehabilitim dhe riintegrim social, në përputhje me parimet e humanizmit, interesin publik dhe mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijëve.
Sipas draftit, ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


