Banorët e fshatit Dobërdoll të Komunës së Vrapçishtit, protestuan ndaj mungesës së zgjidhjes së problemit me ujësjellësin. Ata ankohen se ndërmarrja publike komunale edhe pse iu kishte marrë atyre nga 2 mijë denarë me qëllim të evitimit të problemit, paratë janë “zhdukur”, ndërsa i gjithë fshati ka mbetur pa ujë tanimë një kohë të gjatë.
“Katastrofë është kjo në shekullin 21 të bisedohet për kushtet elementare, mos pasje të ujit, kur dihet se Sharri është burim i pashtershëm a ne vuajmë për ujë, s`kemi ujë. Asgjë hiç s`na thonë, askush asgjë nuk ndërmerr është një përgjegjës i fshatit këtu thotë nuk ka ujë, ka ngri”.
“Problem uji ne kemi pasur edhe verës jo veç dimrit. Sepse ka pasur kohë kur me ujin për pije kanë vaditur arat, askush as njëfarë mase nuk ka marrë”.
“Kjo lagja jonë këtu ka tre javë që nuk kemi aspak ujë. Mbushin nëpër kojshi kush ka më pak kush më tepër ashtu e kalojmë”.
“Që prej tre muaj e gjysmë unë tek shtëpia ime nuk kam ujë. Unë kam qenë tek kryetari i komunës, djali im ka qenë tek ai, thanë do marrim masa se ka ngri pishina, por kaloi një kohë sërish asgjë” – ankohen disa banorë të fshatit.
Komuna e Vrapçishtit thotë se po bën të pamundurën që defekti të sanohet sa më shpejtë.
Gati për tre ditë rresht punëtorët janë duke shkuar atje tek burimi i ujit, hetohet një mungesë uji në këtë periudhë shkaku i ngricës, por ka edhe pengesa gjatë trasesë së qarkullimit të ujit sepse është trase më se dhjetë kilometra që bën telashet e veta. Veçmë dy ekipe janë lartë edhe në Llomnicë ku merret uji edhe andej ka kalon ujësjellësi – tha Bajram Kadria, Kryetar i komunës së Vrapcishtit.
Banorët e Dobërdollit probleme me ujin e pijshëm nuk kanë vetëm gjatë dimrit, por edhe gjatë stinës së verës, për shkak të përdorimit të ujit për vaditje nga pjesa e poshtme e fshatit./Alsat-m
https://www.youtube.com/watch?v=XeB0LVtNlHM