Djali i Ratko Mlladiqit, të dënuarit me burgim të përjetshëm, ka thënë se vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës, nuk ka qenë i lehtë për t’u dëgjuar.
Darko Mlladiq, për televizionin serb “Prva”, ka thënë se vendimi ka qenë i pritur, sepse si aktakuzat, ashtu edhe vendimi janë shkruar shumë kohë më parë.
“Ne nuk e kemi pranuar vendimin. E keni parë shkallën e paragjykimit të gjykatës, refuzojnë të njohin viktimat serbe. Këtë qasje e kanë pasur vazhdimisht, nuk është pritur që në fund të mandatit kjo gjykatë të thotë diçka tjetër. Krejt kjo flet për qasje politike të gjykatës”, ka thënë Darko Mlladiq, transmeton Koha.net
Ai ka shtuar se, pas marrjes së vendimit, ai dhe nëna e tij e kanë vizituar Ratko Mlladiqin, i cili, siç thotë ai, ka pasur shtypje të lartë të gjakut ndërsa “babai e ngushëllonte nënën”.
“Shkuam për ta parë sepse kishte shtypje të lartë të gjakut. Ai e ngushëllonte nënën dhe i tha të mos brengosej. I tha se do të luftojë derisa të jetë gjallë. Këtu kemi të bëjmë me gjykimin e një kombi”, shtoi ai.
Ndonëse kryegjykatësi i Tirbunalit të Hagës, Serge Brammertz, pas vendimit ka thënë se ky nuk është gjykim ndaj një kombi, Darko nuk pajtohet me të.
Kujtojmë se sot, Tribunali i Hagës e dënoi gjeneralin e serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, me burgim të përjetshëm nën akuzat për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.