Pas humbjes së kandidatit proevropian Nawrocki në zgjedhjet presidenciale polake,kryeministri Donald Tusk planifikon të kërkojë votëbesimin. “Testi i parë (për qeverinë time) do të jetë votëbesimi që së shpejti do ta kërkoj në Dhomën e Ulët”, tha Tusku në një fjalim televiziv. Ai dëshiron të vazhdojë punën e qeverisë dhe shpreson të jetë në gjendje të bashkëpunojë me presidentin e ardhshëm, shtoi Tusk.
“Në përputhje me Kushtetutën dhe ndërgjegjen tonë, ne do të bashkëpunojmë me presidentin e ri sa herë që është e nevojshme dhe e mundur”, tha Tusk. Megjithatë, theksoi ai: “Të gjithë do ta shohin se qeveria nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap prapa.”
A po lëkundet aleanca trepartiake?
Fitorja e ngushtë e konservatorit Karol Nawrocki e ka dobësuar politikisht aleancën qeverisëse të Tuskut dhe lind pyetja nëse koalicioni i tij do të jetë në gjendje të mbijetojë deri në fund të mandatit në fund të vitit 2027.
Që nga fundi i vitit 2023, Tusk drejton një koalicion të qendrës së majtë prej tre partish. Projekti më i rëndësishëm i qeverisë së tij është të riparojë dëmin e shkaktuar në sundimin e ligjit nga reforma gjyqësore e zbatuar nga qeveria e partisë PiS, në pushtet nga viti 2015 deri në vitin 2023. Presidenti aktual Andrzej Duda, i cili vjen nga radhët e PiS, deri tani i ka bllokuar projektligjet përkatëse. Nawrocki pritet të vazhdojë në të njëjtën mënyrë, nëse jo më ashpër. Kjo mund ta përçajë koalicionin dhe të çlirojë forcat centrifugale.
Gjatë fushatës zgjedhore, Nawrocki foli vazhdimisht në mënyrë kritike për BE. Vendi i tij nuk do të lejojë që sjellja e tij të diktohet nga Brukseli, deklaroi ai. Ai e paraqiti veten si mbrojtës të vlerave tradicionale polake dhe kërkoi të krijonte lidhje më të ngushta me konservatorët amerikanë, veçanërisht Presidentin Donald Trump. Si president, Nawrocki mund të parandalojë miratimin e ligjeve të propozuara nga qeveria pro Bashkimit Evropian e Tuskit.
Një President me fuqi vetoje
Në Poloni, kreu i shtetit nuk përfaqëson vetëm shtetin jashtë vendit. Presidenti ndikon gjithashtu në politikën e jashtme, emëron kreun e qeverisë dhe kabinetin, dhe, në rast lufte, është komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura polake.
Mbi të gjitha, ai mund ta ndërlikojë jetën e qeverisë falë fuqisë së tij të vetos. Për të anashkaluar veton e presidentit, kërkohet një shumicë prej 60% e deputetëve, diçka që koalicionit të qendrës së majtë të Tusk-ut i mungon.
Lideri i PiS, Jaroslaw Kaczynski, e shpalli rezultatin e zgjedhjeve presidenciale “karton të kuq” për qeverinë e Tuskut. Sipas tij, qeveria duhet të japë dorëheqjen./DW