10.35- Sapo u nënshkrua marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë. Me të, Maqedonia merr emrin “Maqedonia e Veriut”.
Zaev dhe Cipras
10.30- Fjalim mban kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Tre dekada ishte e hapur çështja e emrit, tre dekada ankth dhe brenga për ne, tre dekada me frikë nga e panjohura. Prandaj ne gjetëm zgjidhje. Sot ne jemi këtu për të festuar marrëveshjen. Mësuam se duhet të marrim mësim nga historia dhe jo ta përsërisim atë. Kur ka paqe në vende, ashtu do të jetë edhe bota. Ndërtojmë ardhmëri nga themelet e së kaluarës.
Marrëveshja na sjell jetë më të mirë. Procesi dhe zgjidhja na solli një mik. Miqësi e cila deri para disa kohëve na thonin se është e pamundur. Së bashku me Greqinë trasojmë rrugën për të mirën e banorëve tanë. Krijojmë një realitet të ri në Evropë, së bashku e ndërtojmë këtë realitet në bazë të principeve: paqja, prosperiteti dhe mirëqenia.
Do ti hapim kufijtë për fqinun tonë për të bashkëpunuar. Së bashku të ruajmë stabilitetin dhe sigurinë. Së bashku të ndërtojmë prosperitet duke bashkëpunuar ekonomikisht, që të rritemi ekonomikisht së bashku, të kemi përfitime më të mëdha për banorët.
Banorët tanë i meritojnë paqen, sundimin e së drejtës, demokracinë, dhe gjitha vlertat evropiane të së cilës ata i takojnë.
Për ata që janë kundërt marrëveshjes kam një porosi: grekët, maqedonasit dhe evropianët janë më të fuqishëm se frika që mbjellin. Janë kundër ksenofobisë dhe propagandës.
Të gjithë ta dinë: kundërshtarët e marrëveshjes kanë të drejtë për qëndrim, me argumente, kjo është mënyrë evropiane e ballafaqimit me mendime të kundërta, por unë them që marrëveshjes ti japim një mundësi.
Kur të gjithë na thonin se nuk ka rrugëdalje, ne gjetëm zgjidhje. E di që nuk ishte lehtë edhe për miqtë tonë grek, por ju falënderoj që jeni në anën e mirë të historisë.” tha Zaev.
10.15 – Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe Rozmari Di Karlo, zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh, janë dëshmitarë të nënshkrimit të marrëveshjes për çështjen e emrit.
Kryeministri grek Aleksis Cipras mban fjalim. “Marrëveshje patriotike” tha ai mes tjerash.
“Marrëveshje për popullin. Për përmirësimin e jetëve të qytetarëve. Marrëveshje e shoqërisë. Kemi detyrë historike ta vazhdojmë këtë rrugë dhe jam i bindur dhe optimist se do ta bëjmë këtë dhe do të jemi shembull i rajonit dhe botës për miqësi” tha Cipras.
Sipas tij, kjo është një miqësi e cila nuk torturohet nga e kaluara.
“Para neve kemi sfida të reja. Dhe për tu përballur me to duhet të kemi një rrugë të përbashkët evropiane” tha Cipras.
10.00- Delegacioni arrin në vend. Cipras pret Zaevin.
Ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, Methju Nimic, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federika Mogerini, eurokomesari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johanes Han dhe Rozmari Di Karlo, zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh, sot do të jenë dëshmitarë të nënshkrimit për çështjen e emrit e cila do të bëhet në ora 10:30 në Prespë, mes shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias, njofton Portalb.mk.
Gjithçka është gati, lajmëron gazetari i Portalb.mk nga Prespa. Ka shumë polici dhe sigurim.