Minoritetit maqedonas në Bullgari u ndalohet e drejta për tubime dhe për shoqërim. Për shkak të kësaj ka shqetësim, thuhet në raportin e ri të Komitetit për Eliminimin e Diskriminimit Racor në Kombet e Bashkuara (OKB).
“Komiteti merr parasysh shpjegimin e dhënë nga delegacioni i shtetit anëtar se të gjithë qytetarët e tij kanë të drejtën e vetëidentifikimit, duke përfshirë maqedonasit dhe pomakët (maqedonas të besimit islam). Megjithatë, Komiteti është i shqetësuar nga raportet se anëtarëve të grupeve minoritare maqedonase u ndalohet të ushtrojnë lirshëm të drejtën e tyre për lirinë e tubimit dhe lirinë e shoqërimit.”- Vërejtje nga OKB-ja mbi Bullgarinë.
Në raport thuhet gjithashtu se ka pengesa për regjistrim, përkatësisht shoqatat maqedonase refuzohen nga Agjencia për Regjistrim dhe nga gjykatat. Qëndrimi zyrtar i Bullgarisë është se në territorin e saj nuk ka pakicë maqedonase dhe me një deklaratë të veçantë në Bashkimin Europian deklaroi se nuk e njeh gjuhën maqedonase. Bullgaria nuk i respekton as 14 vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, dhe këtë ia rikujtoi vitin e kaluar Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës. Atëherë u kërkua që edhe Bullgaria të lejojë regjistrimin e shoqatave, qëllimi i të cilave është njohja e pakicës maqedonase në Bullgari.
“Komiteti rekomandon që shteti anëtar të marrë parasysh të gjitha mjetet e mundshme për të garantuar gëzimin efektiv të të drejtave të njeriut nga personat që u përkasin pakicave etnike, duke përfshirë grupet e pakicave maqedonase dhe pomake, duke përfshirë zbatimin e vendimeve përkatëse të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, që janë relevante me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe lirinë e shoqërimit.”- thuhet në Raportin e Kombeve të Bashkuara për vitin 2023.
Nga ana tjetër Maqedonia ka obligim që t’i fusë bullgarët në Kushtetutë. Ky hap është i patjetërsueshëm që të vazhdojë rruga europiane. Ministri i jashtëm Bujar Osmani ende është optimist.
“Mesazhi i Sekretarit Amerikan të Shtetit deri te VMRO-DPMNE ishte mesazh që nuk e kemi dëgjuar në historinë e këtij vendi. Një mesazh nga partneri ynë më i madh strategjik, ku i thotë liderit të opozitës që nëse nuk tregon se cila është alternativa, nuk do t’i blinte as makinë prej tij, d.m.th as që do ta votoja. Tani është mundësia jonë ideale për të nisur një rrugë të pakthyeshme drejt Bashkimit Europian. Ne kemi një grup nacionalist në Maqedoni që po mban peng popullin, popull që ka sakrifikuar aq shumë dhe që pret për hyrje në BE-në. Prandaj nuk duhet të heqim dorë tani nga ndryshimet kushtetuese.”- tha Bujar Osmani, Ministër I Jashtëm.
Sot, më 10 dhjetor, e gjithë bota e shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe këtë vit shënohet 75 vjetori i Deklaratës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Sipas saj, “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Ata kanë mendje dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen njëri ndaj tjetrit në frymën e përkatësisë së përgjithshme njerëzore”.