Në Komisionin parlamentar për financim dhe buxhet për të tretën ditë sot duhet të vazhdojë debati për ribalancin e Buxhetit.
Në ditën e dytë nga debati, dje deputetët e pushtetit dhe opozitës vazhduan akuzat ndja njëri – tjetrit – për deputetët nga pushteti, ribalanci i propozuar i buxhetit pasqyron politikën e qëndrueshme dhe të përgjegjshme ekonomike të Qeverisë, me më shumë fonde për paga, pensione dhe investime kapitale, ndërsa për opozitën kjo është përpjekje për të fshehur dështimet me financat publike dhe hap rrugën për borxhe të tjera, duke rrezikuar stabilitetin ekonomik
Zëvendësministri i Financave, Nikollçe Jankullovski, në ditën e parë të debatit shpjegoi se ndryshimet dhe shtesat e propozuara në Buxhet janë një konfirmim i politikës fiskale për nevojën e konsolidimit dhe menaxhimit më të mirë të financave publike. Ato bazohen, siç sqaron në parashikime makroekonomike të pandryshuara dhe përshtatjen e projeksioneve fiskale të cilat në anën e shpenzimeve sigurojnë financimin e plotë dhe realizimin e prioriteteve strategjike dhe orientimeve programore, pa ndryshuar nivelin e deficitit buxhetor.
“Qëllimi është realizimi i qetë i Buxhetit dhe mbajtja e deficitit buxhetor në një nivel identik të planifikuar me buxhetin fillestar. Me projeksionet e rishikuara fiskale i harmonizojmë shpenzimet me realizimin dhe pritjet, përkatësisht sigurohen fonde shtesë për pagat, pensionet, aktivitetet programore dhe projektuese, ndërsa njëkohësisht shfrytëzohen fonde nga vitet e kaluara në llogari të veçanta”, deklaroi Jankullovski.
Të ardhurat totale janë projektuar në nivelin prej 362,4 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në shumën prej 403,7 miliardë denarë, për një përqindje (rreth 3,5 miliardë denarë) më shumë në krahasim me parashikimet fillestare në planin për këtë vit. Projeksioni për BPV-në mbetet 3,7 për qind, ndërsa inflacioni është projektuar në nivelin e 2,8 për qind.
Deficiti buxhetor mbetet i pandryshuar si në vlerë absolute ashtu edhe si përqindje e BPV-së, gjegjësisht 41,3 miliardë denarë ose 4 për qind të BPV-së. Shpenzimet kapitale do të jenë në shumën prej 47,5 miliardë denarë. Shuma e borxhit të shtetit në fund të vitit 2025, sipas projeksioneve të Qeverisë do të arrijë 53,3 për qind nga BPV-ja, ndërsa borxhi publik pritet të jetë në nivelin e 62,1 për qind. Shkalla e papunësisë pritet të ulet në nivel prej 11.1 për qind në vitin 2025, ndërsa shkalla e punësimit të arrijë në 47 për qind.
Me ribalancin bëhet rialokimi i fondeve mes shfrytëzuesve të buxhetit, sigurohen mjete për pagesën e pagave, kryesisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku është siguruar rritja e pagave për punonjësit me 10 për qind, dhe janë siguruar fonde shtesë edhe për pagesën e pensioneve të rritura dhe rreth 300 milionë denarë shtesë për shpenzime kapitale.
Debati në Komision për projekt- ribalancin e Buxhetit ka filluar më 2 korrik. Për ribalancin e buxhetit janë parashtruar më shumë se 200 amendamente.