21 March
Në shumë shkolla të vendit nuk është zhvilluar mësimi sot për shkak të ditës së pranverës . Kamera e televizionit Alsat, filmoi se si në disa shkolla të Shkupit me rastin e 21 marsit u shënuan aktivitete të ndryshme simbolike pastrimi, në të cilat u përfshinë drejtorët, mësimdhënësit dhe nxënësit.
“Në ora 9:30 kemi ardhur sot. Nuk kemi mësuar, vetëm kemi pastruar. Klasat i kemi pastruar më së shumti”, u shpreh një nxënëse e shkollës “Lirija”.
“Kemi pastruar. Hamera kemi vendosur”, tha një tjetër nxënëse e shkollës “Lirija”.
Në sh.f. “Hasan Prishtina” në Çair nxënësit pastruan klasat dhe mbollën lule në oborr kurse në shkollën Petar Zdravkovski “Penko” nuk është kryer asnjë aktivitet.
“Dikë prej nxënësve e kemi angazhuar nëpër klasa, kurse edhe ne abshkërisht me nxënësit edhe jashtë. Po mundohemi maksimumin ta japim”, deklaroi Harun Neziri, Arsimtar në sh.f. “Hasan Prishtina”.
“Pjesa e dytë e agjendës tonë për ditën e sotshme është edhe mbjellja e luleve”, tha Lulieta Qerimi, drejtoresha e sh.f. “Hasan Prishtina”.
“Sot kemi ardhur në 9. (Çfarë keni bërë?) Asgjë, kemi ndejtur. (A keni pastruar diçka?) Jo, vetëm kemi ndejtur”, u shpreh një nxënës i shkollës “Penko”.
“Prej në 9. (Çfarë keni bërë?) Kemi ndejtur”, tha një tjetër nxënës i shkollës “Penko”..
Ministrit të Ambientit Jetësor Bashkim Ameti, sqaroi se ndryshe nga vitet e kaluara, sivjet nuk ka vazhduar mbjellja masive e fidanëve për Ditën e Pranverës.
“Këtë vit nuk organizohet Dita e drurit, që zakonisht është organizuar në vendin tonë, me të vetmin qëllim që të përgatitemi për një aksion më kualitativ se sa herave tjera”, tha Bashkim Ameti, Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Edhe në qytete tjera të vendit mësimi nuk është zhvilluar, ndërsa dita e pranverës në disa shkolla është shënuar me aktivitete pastrimi kurse në disa të tjera nuk është ndërmarrë asgjë.
Anesa Aliti

