Në ditën ndërkombëtare të lirisë së shtypit gjendja e mediave dhe e sigurisë së gazetarëve në vend lë shumë për të dëshiruar. Shefi i delegacionit të BE në Shkup Zhbogar dhe shefja e OSBE në vend Sumalajnen në këtë ditë kanë dënuar ashpër ngjarjet makabër që ndodhën në Kuvend ndaj punonjësve të mediave, dhe kanë kërkuar që autorët e incidentit të nxirren para drejtësisë.
Ne mendojmë se ajo ishte orkestruar dhe ata që kanë ushtruar dhunë të nxirren para drejtësisë. Liria e shprehjes është e drejtë fundamentale e njerëzve, e cila është e pandashme nga demokracia dhe rregullat ligjore. Media e lirë, ku gazetarët raportojnë në mënyrë profesionale dhe këmbejnë opinione, është kusht për demokracinë. Vendi kërkon reforma edhe në fushën e mediave dhe lirisë së shprehjes. Shumica duhet të mbështet gazetarinë profesionale që të mbrojë sigurinë e gazetarëve, të adresojë çështjet e vetë cezurës dhe gjuhës së urrejtjes – deklaroi Samuel Zhbogar, Shef i Delegacionit të BE në Maqedoni.
Jetojmë në një botë ku sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve për fat të keq janë bërë të zakonshme. Dhuna fizike dhe verbale ndaj tyre është pjesë e realitet tonë edhe pse s’duhet të jetë. Në incidentin e 27 prillit në Kuvend të cilin e kujtojmë për të keq, pos tjerëve edhe gazetarët u sulmuan. Ne si OSBE shprehim shqetësimin tonë dhe kërkojmë që siguria e gazetarëve të jetë e mbrojtur, po ashtu insistojmë që dhunuesit ndaj gazetarëve në Kuvend të dalin para drejtësisë dhe të dënohen – tha Nina Suomalajnen, Shefe e delegacionit të OSBE-së në Shkup.
Drejtori i Agjencisë së shërbimeve audio dhe audio- vizuale Zoran Trajçevski tha se çdo dhunë e ushtruar ndaj gazetarëve, është sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së fjalës.
Çdo dhunë ndaj tyre është e pa pranueshme dhe paraqet sulm direkt ndaj lirisë së shprehjes. Si trup rregullator potencuam se mediat duhet të jenë në nivelin e duhur të rëndësisë së rolit të tyre dh eta marrin përgjegjësinë për të informuar në mënyrë objektive, të mos përcjellin spekulime dhe informata të pa konfirmuara, apo të nxisin tensione – u shpreh Zoran Trajcevski, Agjencia për shërbime audio dhe audio vizuele mediatike.
3 maji është shpallur si Dita Botërore e Lirisë së Shtypit nga Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me qëllim për t’ua kujtuar qeverive detyrën që kanë në drejtim të respektimit të së drejtës së shprehjes së lirë.
Vjollca Aliti

