Dita e Evropës 9 Maji është datë e mundshme e arritjes së marrëveshjes mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kanë njoftuar burime diplomatike për Almakos.
Ata janë të inkurajuar nga dinamika e intensifikuar e zhvillimit të negociatave.
“9 Maji do të ishte një datë e bukur për arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve. Në Ditën e Evropës do të ishte vërtetë mrekulli të arrihet marrëveshja aq e shumëpritur që hap rrugën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE jo vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për Shqipërinë. Klima e re pozitive ka gjasa të finalizohet më 9 maj”, kanë komentuar ata.
Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut thonë se ka sinjale pozitive, por se nuk eshtë ende koha të përmendin data konkrete.
“Nuk duam ta ngarkojmë procesin negociues me data, por theksin e kemi vendosur te esenca e problemit”
E për hapa konkretë në avancimin e negociatave ka folur anëtari bullgar i komisionit, Angel Dmitrov.
Dimitrov për TV21 deklaroi se në bisedimet e Komisionit Historik mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është arritur marrëveshje për figurën e Car Samoilit.
“Car Samoili? Ajo është punë e kryer. Kemi arritur marrëveshje. Për kremtim të përbashkët? Po po..”, deklaroi shkurt Angel Dimitrov.
Ai shtoi se sot pritet të diskutohet edhe për figurën historike të Goce Dellçevit.
Moment të ri në bisedimet dypalëshe solli kryeministri bullgar Kiril Petkov, sipas të cilit agjentë rusë në Bullgari punonin kundër marrëdhënieve të mira midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Në Bullgari është formuar një diasporë mjaft e madhe agjentësh rus, të cilën aktualisht e shohim duke punuar për interesa të ndryshme. Ka agjentë rusë që kanë punuar në mënyrë specifike kundër mirëkuptimit midis Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Petkov në deklaratën e tij të guximshme në Blagoevgrad.
“Në fakt, interesi i Rusisë është të mos ketë të ardhme evropiane për Ballkanin Perëndimor”, shtoi Petkov.
Ndryhse Komisioni maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore sot dhe nesër në Shkup do të mbajë mbledhjen e re, të tetëmbëdhjetë me radhë. Në rend dite do të jenë vërejtjet nga pala bullgare për periudhën mesjetare për tekstet e historisë së Maqedonisë për klasën e shtatë, pas shqyrtimit të vërejtjeve të Maqedonisë për tekstet bullgare për klasën e gjashtë.
Kujtojmë se ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit. Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.