Sot është dita botërore kundër osteoporozës. Për shumë kohë e neglizhuar, osteoporoza, ose ndryshe sëmundja e kockave, konsiderohet sot si një nga shqetësimet shëndetësore më serioze në botë. Faktorët që e parandalojnë këtë sëmundje janë: aktiviteti fizik, ushqimi me bulmet e peshk dhe rrezet e diellit, që i japin trupit vitaminën D. Organizata Botërore e Shëndetësisë përllogarit se janë rreth 200 milionë njerëz në botë, që vuajnë nga osteoporoza. Sëmundja i bën kockat më poroze dhe të dobëta, gjë që rrit rrezikun e frakturave. Gratë, për shkak edhe të veçative të skeletit, janë më të ekspozuara se meshkujt.
Rreth 30% e femrave që kanë kaluar menopauzën vuajnë nga osteoporoza dhe të paktën 40% e këtyre grave si dhe deri në 30% e meshkujve rrezikohen të kenë një frakturë gjatë viteve që iu mbeten. Duke pasur parasysh se çdo e treta grua dhe çdo i pesti burrë mbi 50 vjeç ndoshta ka osteoporozë, supozohet se rreth 120.000 persona e kanë këtë sëmundje, thonë nga Shoqata e Maqedonisë për osteoporozë.