Me rastin e shënimit të 15 marsit, Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorëve, në takimin e realizuar mes OKM-së, Ministrisë së Ekonomisë dhe OEM-së u paralajmërua një ligj i ri për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.
Me këtë ligj parashihen të eliminohen praktikat aktuale të pandershme të biznesit, klauzolat dhe kontratat e pandershme si dhe qëndrimet e pandershme të shitësve ndaj klientëve. Sipas profesoreshës Daboviç – Atanasovska, me ligjin e ri gjyqet dhe inspektorët do të angazhohen më tepër, por do të definohen edhe mundësitë për mbrojte kolektive të konsumatorëve, e cila deri tani nuk ka ekzistuar në Maqedoni. Problemi i veçantë, sipas saj, i cili duhet të zgjidhet me ligjin e ri, është edhe marrëveshja me bankat dhe kompanitë e sigurimit.
“Ne do të përpiqemi të bëjmë një ligj të afërt me konsumatorët, një ligj që ata mund të kuptojnë dhe ta forcojmë rolin e inspektorëve të tregut. Ende kemi klauzola të pandershme në marrëveshjet bankare dhe të sigurimit. Unë pajtohem me atë se në këto kushte të varfërisë është me rëndësi të fitosh kredi, por kur do t’i shihni klauzolat e keni të qartë se ato janë të pandershme për qytetarët. Rruga drejt mbrojtjes së konsumatorit nga këto klauza të pandershme për fat të keq është ende në labirintet tona të drejtësisë dhe nuk është shumë e qartë”, u shpreh profesoresha e universitetit, Atanasovska Daboviç.
Kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë tha se angazhimi i organizatës në periudhën e ardhshme do të jetë në mbrojtjet e të drejtave të konsumatorëve ndaj tregut digjital. Ata po punojnë në një sërë projektesh të cilat do të ndihmojnë për ndërtimin e një bote të besueshme digjitale për konsumatorët.
“Ne duhet të mendojmë për t’i barazuar të drejtat e konsumatorëve të tregut konvencional drejt atij digjital. Tashmë ne duhet të flasim për tregun digjital, për të parë mundësitë se si t’i mbrojmë të drejtat e konsumatorëve, veçanërisht ato në fushën e të dhënave personale dhe në aspektin e privatësisë sonë. Gjithnjë e më shumë, lodrat të cilat po shfaqen si të mençura dhe të konektuara kanë një problem të madh, nga shkaku se softueri i cili është tek ato, nuk përditësohet, më saktësisht nuk është një softuer që ofron mbrojtje për fëmijën dhe familjen tuaj, me një fjalë gjithkush mund t’u ndjek për arsye se softueri i këtyre pajisjeve nuk ka mbrojte”,- tha kryetarja e Organizatës së Konsumatorëve të Maqedonisë, Llonçar-Vellkova.
Ajo theksoi se vërejtjet e qytetarëve më shumë kanë të bëjnë me telefonat celularë të tyre, teknikën e bardhë, prodhimet për amvisëri, për të cilat, siç tha, qytetarët presin një jetëgjatësi më të madhe të tyre, por që prishen me skadimin e garancisë.
Ndërkohë që numri i parashtresave të konsumatorëve për ushqimin variojnë mes 300 dhe 400 në vit, kryesisht nga mosinformimi i tyre. /al.mrt/