Kryetari i Komunës së Çairit, dhe përfaqësues i Koalicionit VLEN, Visar Ganiu, në një intervistë për edicionin e lajmeve në Alsat M, ka deklaruar se nuk ka më komunikim zyrtar me Arben Taravarin dhe grupin e tij brenda Aleancës për Shqiptarët, duke e cilësuar rikthimin e tyre te BDI-ja si veprim të paarsyeshëm dhe zhgënjyes.
“Nuk kemi komunikim zyrtar me Taravarin. Tek-tuk lajmërohen sepse ne kemi shoqëri tonën edhe atje dhe, nga informatat që i kemi në strukturat, nga njerëz të cilët janë kalitur dhe e kanë themeluar Aleancën për Shqiptarët ose kanë krijuar një ideologji kundër BDI-së si oponent, janë shumë të zhgënjyer”, u shpreh Ganiu.
Ai shtoi se është e pamundur të kuptohet racionalisht se çfarë po ndodh me Taravarin dhe drejtuesit e tij politikë.