Zhvendosja e paraleleve nga shkollat amë sigurisht që nuk është diçka që e rrit cilësisë e shkollimit, pasi në një rast të tillë disperzimi i paraleleve do të ishte kthyer në standard të cilin do ta dëshironin të gjithë. Pra, edhe shkollat maqedonase do ti kishin shpërngulur paralelet e tyre profesionale – ca në njërën shkollë e ca në shkollën tjetër. Mirëpo, nuk ndodh një gjë e tillë. Rastësisht ose jo, shembujt e disperzimit i gjejmë vetëm kur janë në pyetje nxënësit shqiptarë.
Shpërngulja apo disperzimi i paraleleve të mesme profesionale nga shkollat amë në shkolla të tjera të kryeqytetit vazhdon të praktikohet sot e kësaj dite. E, kur jemi te arsimi i mesëm profesional në shkollat e kryeqytetit, kjo vlen vetëm për paralelet me mësim në gjuhën shqipe, shkruan gazeta KOHA. Zhvendosja e paraleleve nga shkollat amë sigurisht që nuk është komponentë, e cila rrit cilësisë e shkollimit, pasi në një rast të tillë – disperzimi i paraleleve do të ishte kthyer në standard të cilin do ta dëshironin të gjithë.
Pra, edhe shkollat maqedonase do ti kishin shpërngulur paralelet e tyre profesionale – ca në njërën shkollë e ca në shkollën tjetër. Mirëpo, nuk ndodh një gjë e tillë. Rastësisht ose jo, shembujt e disperzimit i gjejmë vetëm kur janë në pyetje nxënësit shqiptarë.
Deri tani, në Shkup, vetëm për nxënësit shqiptarët është ofruar si zgjidhje e problemit formimi i paraleleve të një shkolle të caktuar në një shkollë tjetër. Kështu, hapja e paraleleve të mjekësisë nëpër gjimnaze apo shkolla të mesme të ekonomisë bëhet vetëm për paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Fati i njëjtë i ka ndjekur për më shumë se një dekadë edhe paralelet e mesme të komunikacionit, të cilat në vend që të formohen në shkollën amë “Vllado Tasevski”, ato disperzohen në shkollën e mesme teknike “8 Shtatori”. Kjo ndodh sot e kësaj dite.
Në vitin shkollor 2009/2010, paralelet shqipe të cilat nuk lejoheshin të formohen në shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”, u formuan në gjimnazin “Zef Lush Marku”. Kështu u veprua për katër-pesë vite me radhë dhe tani në ZLM gjenden ende paralelet e mjekësisë, të cilat u formuan në vitin shkollor 2015/2016 dhe duhet të përfundojnë në vitin 2018/2019. Hapja e paraleleve të mjekësisë në gjimnaz sigurisht se nuk ishte një punë edhe aq e lehtë në aspektin procedural. Madje, që të arrihet kjo, u desh të harxhohet kapital politik për të ndryshuar Statutin e shkollës nga “gjimnaz” në “shkollë e mesme profesionale” dhe i njëjti të miratohet në Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.
Reagimet që pasuan në opinion ishin negative, pasi në ZLM nuk ka as kushte elementare për këtë lloj shkollimi. MASH dështoi të sigurojë kabinete dhe laboratorë të nevojshëm për lëndët profesionale, prandaj të gjithë e vlerësuan si hap të gabuar politik hapjen e paraleleve të mjekësisë, respektivisht si gabim me pasoja të Qytetit të Shkupit dhe MASH-it.
Pesë vite më vonë, kur u dëshmua se ky ishte vërtetë një hap i pamenduar mirë, u vendos që të ndërpritet formimi i paraleleve të mjekësisë në ZLM. Mirëpo, për habinë e të gjithëve, ai gabim u transferua në një shkollë tjetër gjithashtu joadekuate, në shkollën e mesme të ekonomisë “Cvetan Dimov”. Kështu, nga vitit shkollor 2016/2017 formimi i paraleleve shqipe të mjekësisë nisi në këtë shkollë. Kuptohet që kushtet për arsim mjekësor janë shumë larg kushteve të shkollës mjekësore “Pançe Karagjozov” dhe nuk është rastësi që në “Cvetan Dimov” interesimi për paralelet e mjekësisë është shumë i vogël dhe që këtu regjistrohen me sukses më të ulët të notave krahasuar me nxënësit që regjistrohen në shkollën profesionale të mjekësisë. Por pavarësisht të gjithave, për vitin shkollor 2018/2019, në “Cvetan Dimov” janë planifikuar të formohen katër paralele të drejtimeve të mjekësisë edhe atë dy për infermieri dhe nga një për teknik dhëmbësh dhe teknik laboratorik-farmaceutik. (koha.mk)