Përveç pyjeve, zjarret që digjen prej ditësh në territorin e vendit filluan të shkrumbojnë edhe arat, duke rrezikuar edhe rafinerinë e naftës e cila ndodhet në autostradën për në Kumanovë. Sipas deklaratave të banorëve, zjarri ka filluar në fshatin Agino dhe për disa minuta ka arritur në Deljadrovcë, e më pas dhe në Tekija, vetëm disa metra larg rafinerisë. Derisa qëndroi ekipi ynë, në teren nuk u panë ekipe të zjarrfikësve të kryeqytetit dhe rrethinave. Banorët luftojnë vetë për të shuar zjarrin, ndërsa u vërejtën vetëm makina zjarrfikësish dhe të ndihmës së shpejtë që i takojnë vetë rafinerisë.
– Advertisements –
“Sa u ktheva nga autostrada ta dërgoj bashkëshorten në punë, zjarri kaloi në këtë anë. Zjarrfikës nuk ka, për fat të mirë erdhi zjarrfikëse nga OKTA, njerëzit që erdhën ndihmojnë. GAZETARI: A keni informata se si është gjendja e fshatarëve, a ka të lënduar? Tani për tani nuk ka, pasi nuk thonë që ka të lënduar, me siguri nuk ka.”
“Tani zjarri po shkon drejt rafinerisë. Si do të jetë më vonë, një Zot e di. Para sa kohe filloi zjarri dhe prej nga vinte? Vinte nga lartë, prej nga Fshati Agino, atje ka një bllok, por është keq se shumë erë fryn. Është shumë keq, nuk shuhet…”
Zjarre vështirë të kontrollueshme edhe në pjesën tjetër të kryeqytetit, më saktësish në fshatin Rahiviq të Sarajit. Sipas banorëve ekipet për të ndihmuar janë paraqitur shtatë ditë pasi ka filluar zjarri. Ndërsa vendosja e tyre në kontroll është e vështirë për shkak të pyjeve të dendura dhe terrenit të pakalueshëm. Në ndihmë në këtë zonë ishte aeroplani rumun.
“Tashmë pesë ditë që digjet ky mali. Mali është i thatë edhe terreni është jo i përshtatshëm për ngjitje, se ka pas edhe fshatar që janë bashkëngjitur për fikjen e zjarrit, mirëpo terreni nuk është sa duhet i mirë. Sot kanë ardhur ekipet shtetërore në mëngjes. Kanë ardhur edhe civil të tjerë. Fshatarët e kanë dalë në terren? Kanë dalë dhe ka pasur që kanë edhe djegie të këmbëve.”
Sipas Qendrës për Menaxhim me kriza Zjarre aktive ka në rajonin e Pehçevës e Berovës dhe Dellçevës por që janë nën kontroll. Në rajonin e Shkupit qëndrojnë aktive në Çuçer Sandevë e në Petrovec. Ndërsa zjarre aktive ka edhe në rajonin e Prilepit. QMK njofton se në orët e mbas ditës është shkaktuar zjarr i ri edhe në rajonin e Makedonski Brodit. Përveç ekipeve vendase, për të shuar zjarrin vazhdon edhe ndihma e zjarrfikësve slloven, bullgar, aeroplani rumun, por edhe zjarrfikësit e Austrisë. Gjatë ditës së djeshme një zjarrfikës austriak ka marrë plagë serioze nga zjarri, e për momentin ndodhet në spitalin e traumatologjisë në Shkup. Autoritetet njoftojnë se sa të kryhet dokumentacioni menjëherë do të niset për mjekim në Austri.
Mefail Isamili