Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se në dy ditët në vijim do të vijnë në Shqipëri 40 nëna ukrainase me fëmijë.
Në dalje të Kryegjyshatës, i shoqëruar edhe nga ambasadori ukrainas në vendin tonë, Veliaj u shpreh se disa prej tyre do të strehohen në familje private.
Pastaj theksoi ai në varësi të numrit do të mendohet për një strategji akomodimi njëjtë si me qytetarët afganë, duke përmendur si opsion edhe konviktet.
“Sot me ambasadorin e Ukrainës më vjen mirë që ishim të dobishëm. Kamioni që u nis nga Tirana ka mbërritur në Ukrainë. Kanë filluar të vijnë familjet e para nga Ukraina. Presim edhe 40 nëna me fëmijë në dy ditët e ardhshme. Disa do strehohen në familje private. Nëse numri do shtohet do veprojmë me afganët. Unë e di për një vend që është i pamësuar me këto gjëra shkaktohet histeri. Jo na morët konviktet. Kombet serioze nuk vënë kujën në këto gjëra. Askush nuk do cenohet as në konvikte dhe as në apartamente”, tha Veliaj.
Ndërsa ambasadori ukrainas deklaroi se disa prej fëmijëve në moshën e shkollës do të nisin mësimin në shkollat shqiptare.
“Ka dhe fëmijë që do të futen në shkollat shqiptare”, u shpreh ambasadori ukrainas në vendin tonë.





