Skandali diplomatik i ditëve të fundit nxori në dritë dobësitë e sistemit të certifikimit dhe kontrollimit të aktivitetit të diplomatëve si dhe mungesën e komunikimit efikas mes institucioneve. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, thotë se rasti i diplomatit Mile Milenkovski i cili ditë më parë u kap nga policia serbe për shkak të dyshimeve për vepër penale, mëvesh për përgjegjësi organet e sigurisë të cilat kishin ndarë certifikatë sigurie për diplomatin në fjalë, të cilën Ministria më vonë e shfrytëzoi si bazë për angazhimin e tij.
– Advertisements –
“Ministria e Punëve të Jashtme nuk është organ i sigurisë dhe mënyra e vetme që garanton se të punësuarit mund të hynë dhe të kenë qasje deri te dokumentet e ministrisë, pavarësisht këtu ose jashtë, sepse e gjitha kjo është një institucion, është sistemi për certifikim nacional. Sistemi, siç duket qartë, ka dobësi prej disa dekadash më herët. Ky rast është një mundësi që sistemin ta kthejmë atje ku e ka vendin dhe ta ruajmë dinjitetin e kësaj ministria dhe këtij shërbimi të rëndësishëm.”- deklaroi Bujar Osmani.
Osmani thotë se nuk ka qenë I njoftuar se ndaj diplomatit ka një urdhër arresti ndërkombëtar dhe se institucionet e sigurisë në vend nuk e kanë njoftuar për aktivitetin e tij në të kaluarën. Kryeministri Zaev thotë se ky diplomat ka qenë në detyrë që në kohën e VMRO-DPMNE-së.
“Ai është qyteti jonë dhe ne qëndrojmë pas tij deri sa nuk na ofrohen materiale se ka bërë ndonjë vepër penale jashtë vendit, që është në kundërshtim me ligjet në ata vende. Ajo që e di është se ky diplomat ka qenë mjaft aktiv edhe në kohën e VMRO-DPMNE-së dhe Antonio Milloshoskit dhe të Nikolla Poposkit, në misionin e OSBE-së. Edhe në kohën e VMRO-DPMNE-së është dërguar nëpër misione.”- deklaroi Zoran Zaev.
VMRO-DPMNE-ja prej ditësh kritikon pushtetin për lëshimin që rezultoi me skandal diplomatik.
Sipas raporteve të mediave, tre vjet më parë, Milenkovski, së bashku me dy diplomatë të tjerë, arritën të çonin biznesmenin dhe politikanin armen Levon Sargsyan, me një avion privat, në Vjenë, i kërkuar për një sërë skandalesh korrupsioni në vend. Megjithëse urdhërarresti për Milenkovski daton prej një vit e gjysmë, rasti doli në dritë vetëm pasi ai u arrestua dhe u ndalua nga policia serbe dhjetë ditë më parë.
Dy diplomatëve të tjerë u është marrë pasaporta diplomatike dhe u është pezulluar marrëdhënia e punës në MPJ. Skandali ka bërë që Ministria e Jashtme të kërkojë ricertifikim të jashtëzakonshëm të të gjithë të punësuarve në radhët e saj. Personat në pozita drejtuese dhe të gjitha ambasadorët do të duhet të apilojnë deri të premten për certifikatë sigurie të NATO-s, të rishikohen procedurat e punësimit dhe procedurat për qarkullimin e dokumenteve të këtë institucion.
Fatlum Dervishi



