Parlamenti duhet të jetë në gjendje që pas kësaj krize të gjatë të marr në dorë punën e tij me qëllim që të përkushtohet në çështjet urgjente me të cilat përballet vendi. Kjo është porosia që Gjermania i ka drejtuar sot politikanëve në Maqedoni, nëpërmjet të dërguarit special të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Kristian Helbeh, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup. Ai ka përcjellur se Gjermania riafirmon qëndrimin për mbështetjen e Maqedonisë në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së dhe se janë në linjë me deklaratat e përfaqësues së lartë të BE-së, Federika Mogerini dhe eurokomesarit Johanes Han.
“Që kjo të jetë e mundur nevojitet formim i shpejtë i qeverisë e cila do të zbatoj reformat prioritare urgjente. Procesi i reformave është kryesore. Njerëzit kanë nevojë për punë, siguri sociale, sundimin e së drejtës dhe masa efektive kundër korrupsionit. U bëjmë thirrje partive politike të përmbahen nga ngritja e përçarjeve që nuk kanë të bëjnë me këto prioritete.”, ka deklaruar Kristian Helbah, Diplomat gjerman
Helbeh ka porositur presidentin që të respektojë shumicën parlamentare dhe të lejohet formimi i Qeverisë së re.
“Ne besojmë se Presidenti do të respektoj rezultatet e zgjedhjeve dhe do të lejojë shumicën parlamentare për të formuar Qeveri sa më shpejtë të jetë e mundur”, ka thënë më tej Kristian Helbah.
Ndërkohë, partitë politike i ka porositur që të veprojnë me përgjegjësi dhe të shmangin tensionet potenciale.
Ai ka theksuar se një rëndësi e veçantë është që Prokuroria Speciale të vazhdojë të kryej punën e saj me përkrahje të pavarur gjyqësore. I pyetur se a sheh diçka kontestuese ose problematike tek Platforma e partive shqiptare ai shkurt tha që “Jo”.
Teuta Buçi /SHENJA/
Diplomati gjerman me porosi: Të formohet… by tvshenjaofficial