Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), Tatjana Dimitrovska sot i është përgjigjur pyetjes parlamentare për bashkëpunimin e anëtares së KSHPK-së, Cveta Ristovska, me Universitetin për Turizëm dhe Menaxhment dhe nëse ka konflikt të mundshëm interesi pasi që Ristovska e ka trajtuar rastin për drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, ajo ka theksuar se nuk ka lidhur marrëveshje për kompensim financiar dhe nuk është anëtare e kuadrit mësimdhënës të Universitetit dhe lëndët ndahen në mënyrë elektronike.
“Anëtarja e Komisionit nuk ka lidhur marrëveshje për kompensim financiar dhe nuk është anëtare e kuadrit mësimdhënës të Fakultetit. Ajo u angazhua për herë të fundit si ligjëruese eksperte rreth katër vjet më parë. Sa i përket mënyrës së ndarjes së lëndëve, ajo është e rregulluar në Rregulloren e Punës së Komisionit. Lëndët ndahen në mënyrë elektronike dhe nuk ekziston mundësia e faktorit njerëzor, pra subjektivizmit. Ne i respektojmë me përpikshmëri këto rregulla, të cilat janë të përcaktuara në Rregullore dhe Ligj”, tha Dimitrovska.
Ajo theksoi se KSHPK-ja merr vendime vetëm në bazë të fakteve dhe informacioneve të kontrolluara, të vërtetuara dhe institucionale për çdo rast individual në të cilin vepron.
Siç tha ajo, vendimi për emërimin e drejtorit të Agjencisë për Sigurisë Kombëtare është marrë në bazë të këtyre parimeve dhe në kompetencat e Komisionit Shtetëror.
“Lidhur me kompetencat e përcaktuara me ligj, KSHPK-ja nuk ka kompetencë të përcaktojë dhe të veprojë nëse në raste të caktuara ka të dhëna për dokumente të dorëzuara jo të besueshme. Vendimi për emërimin e drejtorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare është marrë në bazë të këtyre parimeve dhe brenda kompetencave të Komisionit Shtetëror. Për të gjitha indikacionet tjera ka organe kompetente që veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre ligjore”, shtoi Dimitrovska.
Lidhur me verifikimin e besueshmërisë së dokumenteve që vërtetojnë arsimin e lartë të kryer, Dimitrovska tha se Komisioni Shtetëror nuk është kompetent dhe nuk ka mekanizma ligjor për ta bërë këtë.
“Kompetencë për verifikimin e besueshmërisë së këtyre dokumenteve është Inspektorati Shtetëror Arsimor, për të cilin Komisioni Shtetëror ka paraqitur kërkesë, është përpiluar raport nga organi kompetent dhe sipas konkluzioneve të atij raporti është marrë edhe vendimi. Lidhur me konfliktin e interesave, KSHPK-ja ka kompetencë ekskluzive për të kontrolluar rastet për ekzistimin e konfliktit të interesave”, tha Dimitrovska.
Ajo ka sqaruar edhe një herë se nuk ka konflikt interesi në lidhje me anëtaren që ka marrë pjesë në vendimmarrje dhe të cilës i është ndarë lënda në mënyrë elektronike.