Edhe krahas dy tentimeve, sot nuk u mbajt seanca e Komisionit kuvendor për punë të jashtme, në të cilën fjalim për realizimin e politikës ndërkombëtare duhej të ketë edhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov. Seanca e re është caktuar për nesër.
Seanca e sotme u shty pasi kryetari i Komisionit, Antonio Milloshoski, kërkoi që deputetët të cilët kanë certifikata të sigurisë t’i marrin materialet e klasifikuara që si Komision i kanë kërkuar dhe i kanë marrë nga presidenti i RM-së, sepse, siç tha, ata janë shumë të rëndësishme për politikën e jashtme dhe kanë të bëjnë në qëndrimet e pushtetit dhe ministrit të Punëve të Jashtme lidhur me negociatat për emrin me Greqinë, që është pikë e rendit të ditës.
Ai e akuzoi pushtetin dhe kryetarin e Kuvendit talat Xhaferi se kanë ndaluar që këto materiale të dorëzohen deri te deputetët dhe se kjo flet se tentojnë diçka të fshehin. Potencoi se dhe materialet kanë të bëjnë në të dyja takimet që janë mbajtur te presidenti i shtetit lidhur me negociatat për emrin me Greqinë në janar dhe maj, në të cilat siç tha, ministri ka pasur qëndrime të ndryshme.
“Fshehja e materialeve nga deputetët hap dyshime se pushteti po tenton të fshehë diçka”, tha Milloshoski dhe shtoi se seanca do të fillojë pasi materialet të dorëzohen deri te anëtarët e Komisionit.
Ministri Dimitrov, i cili nuk pati mundësi të flasë para Komisionit, në deklaratë për mediat theksoi se në të gjitha negociatat ka edhe taktika negociuese, ka pozicione, dhe se nuk ka për qëllim tani të flasë për atë që mos ta dëmtojë tërë procesin dhe marrëveshjen e arritur.
“Nëse ju kujtohet, në opinion nga ana tjetër pati informacione për emër të pa përkthyer , për emër të bashkuar…Gjithmonë kur lëvizni drejt kompromisit të dyja palët lëvizin. Mua më vjen vështirë të përgjigjem në këtë, pikërisht sepse ato janë të klasifikuara. ne jemi në një proces delikat. Gjithçka që do të dalë në opinionin tonë do të transmetohet edhe në opinionin grek dhe atje mund t’ua vështirësojmë punën dhe për mua është shumë më me rëndësi që procesi të ketë sukses dhe të ketë rezultate sesa unë sot të dal fitues, ndërsa të gjithë të dalim të mposhtur pas temës së madhe”, tha Dimitrov.
Do të vijë koha, tha, do të diskualifikohen.
“Në çdo kohë jam i gatshëm për debat, për çdo material, sepse edhe atje edhe këtu edhe para grekëve jam i njëjti i hapur dhe seriozisht i angazhuar në këtë proces”, tha Dimitrov.
Shtoi se për këtë se si udhëhiqet politika e jashtme flasin rezultate e arritura, udhërrëfyesi për në BE, ftesa për anëtarësim në NATO, marrëveshjet e arritura me Bullgarinë dhe Greqinë, si dhe potencimi i Maqedonisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare si shembull i shenjtë në rajon.
Paraprakisht në fillim të seancës deputetët nga ane e pushtetit e akuzuan Milloshoskin dhe opozitën se me hapa jo procedurale bëjnë teatër që ta tërheqin vëmendjen nga gjendja në parti.