Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë Nikolla Dimitrov ka shfaqur keqardhje për shkak të deklaratave të shefit të diplomacisë serbe Ivica Daçiq. Daçiq ka thënë në Athinë se Serbia ka gabuar që e ka njohur Maqedoninë me emrin kushtetues të saj.
“Shfaq keqardhje për shkak të deklaratës së Ivica Daçiqit. Maqedonia dhe Serbia kanë qenë pjesë e një shteti federal dhe kanë pasur aq shumë gjëra të përbashkëta. Jam i bindur se dy popujt miq preferojnë të kenë marrëdhënie të bazuara në respektimin e ndërsjellë, kuptimin dhe në frymën evropiane”, citon b92 të ketë thënë në kumtesën e vet Dimitrov.
Dje ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq gjatë vizitës së tijnë Atinë, tha se Serbia ka gabuar para 20 viteve kur e pranoi Shkupin nën emrin Republika e Maqedonisë. Daçiq shtoi se Shkupi gjithmonë ka pasur qasje negative rreth çështjes së Kosovës.
“Mendoj se Serbia ka bërë gabim para 20 viteve kur e pranoi Shkupin nën emrin Republika e Maqedonisë. Kjo nuk ishte korekte ndaj Gërqisë, ndërkaq Shkupi gjithmonë ka pasur qëndrim negativ ndaj çështjes për Kosovën dhe Metohinë. Ata e pranuan pavarësinë e Kosovës dhe votuan për pranim të Kosovës në UNESCO”, deklaroi Daçiq.

