04 October
Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov, deklaroi se edhepse BE-ja nuk do të pranojë anëtare të reja deri në vitin 2025, kjo periudhë do të shfrytëzohet për të bindur fqinjët dhe partnerët evropian, për fillimin e negociatave për anëtarësim. Këtë Dimitrov e tha gjatë takimit me homologun e tij nga Luksemburgu, Zhan Aselborn.
Do të bëjmë gjithçka që mundemi që deri në fund të këtij viti ta bindim Bashkimin Evropian të na japë rekomandim të pastër dhe do të bëjmë gjithçka që mundemi t’i bindim fqinjët tanë dhe miqtë tanë evropianë se Maqedonia duhet t’i fillojë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm. Konteksti rreth emrit nuk duhet të jetë pengesë në integrimin tonë. Ne kemi një marrëveshje të përkohshme, kemi një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që thotë se kjo nuk duhet të jetë pengesë – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Aselborn theksoi se Bashkimi Evropian asnjëherë nuk do të jetë plotësisht stabil pa Ballkanin dhe porositi Maqedoninë të zbatojë ligjet e mira që ka.
Demokracia ka nevojë për ndryshime demokratike që të mbetet e besueshme dhe efikase. Në këtë kontekst jam këtu. Mendoj se autoritetet e reja në këtë vend do të kenë dëshirë dhe energji të bëjnë demokraci të duhur në këtë vend. Nuk duhet të ndryshoni shumë ligje, pasi janë. Mendoj se shpirti i implementimit të ligjeve është shumë e rëndësishme – deklaroi Zhan Aselborn, Ministër për Punë të Jashtme dhe Evropiane të Luksemburgut.
Aselborn theksoi se zgjedhjet e 15 tetorit janë shumë të rëndësishme për vendin.
Anesa Salihu

