Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov deklaroi se akoma nuk ka propozim për zgjidhjen e kontestit me emrin, por ndërmjetësi Methju Nimic është inkurajuar të dalë me kornizë fillestare që javën e ardhshme.
“Akoma nuk kemi propozim në tryezë për zgjidhjen e kontestit me emrin. Vendosëm ta inkurajojmë ndërmjetësin Methju Nimic të dalë sa më shpejtë, madje edhe të mërkurën e ardhshme me një kornizë fillestare e cila do të shërbejë ose do të japë drejtimet për progres thelbësor dhe paralajmëruam gatishmëri për t’u kyçur si shefa të diplomacive drejtpërdrejt, diçka që deri më tani nuk ka ndodhur”, deklaroi shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov në intervistën e mbrëmshme për emisionin “Click plus” në TV 21.
Sipas tij, është fakt se midis Maqedonisë dhe Greqisë akoma ekzistojnë dallime dhe në periudhën e ardhshme do të shihet nëse do të jetë e mundur që ato të tejkalohen.
“Është shumë e rëndësishme për Greqinë të ketë distinkcion më të qartë midis shtetit të Maqedonisë dhe rajonit Maqedonia në Greqi. Për ne është shumë e rëndësishme të mos ketë asnjë lloj dyshimi lidhur me çështjen e identitetit dhe është shumë e rëndësishme të gjejmë mënyrë dinjitoze të sqarojmë dhe të elaborojmë”, deklaroi Dimitrov.
Sipas tij, nuk mundet Maqedonia të jetë vetëm e Greqisë, pasi që nuk është dhe nuk mundet Maqedonia të jetë vetëm e jona pasi që nuk është, rajoni gjeografik është i madh dhe i ka tre shtete.
“Edhe në këtë kuptim mendoj se përgjigjja e vërtetë e irredentizmit është parimi i joekskluzivitetit. Të dyja palët kanë të drejtë ta përdorin edhe termin edhe emrin në kontekste të ndryshme. Parimi i joekskluzivitetit ose mospasjes së monopolit është mospasje e të drejtës ne ta përdorim Maqedoninë si Maqedoni”, theksoi shefi i diplomacisë.