Ky nuk është vetëm një dokument me numra dhe tabela, ky është një mesazh ekonomik për stabilitet, besim dhe zhvillim, si dhe dëshmi e qartë për menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike që e kemi vendosur dhe po e vazhdojmë me kapacitet të plotë, tha sot ministrja e Finacave Gordana Dimitrieska-Koçoska e cila para Komisionit të Kuvendit e sqaroi Propozim-buxhetin për vitin 2026.
Komisioni duhet të fillojë debatin për amendamentet mbi Propozim-buxhetin.
“Buxheti për vitin 2026 është dëshmi se mundemi të menaxhojmë mënyrë të mençur, të disiplinuar dhe vizionare, edhe në kohë sfidash. Ky dokument flet për një ekonomi që rritet, për një shtet që investon dhe për një Qeveri që e di çfarë bën”, theksoi ministrja.
Pasi i prezantoi projekcionet, ajo tha se nga Komisioni pret një diskutim të argumentuar, cilësor dhe produktiv.
Pas Dimitrievska-Koçoska, para anëtarëve të Komisionit fjalim mbajti edhe kryetari i Këshillit fiskal, Abdulmenaf Bexheti, i cili e dha vlerësimin për Buxhetin e projektuar.
Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm janë projektuar në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë ose 650 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind nga PBB.
Seanca plenare, ku do të shqyrtohet Propozim-buxheti për vitin 2026, sipas paralajmërimeve, është planifikuat të mbahet më 9 dhjetor.


