Pagesë më efikase të taksave dhe luftë më të fortë kundër ekonomisë gri, duhet të mundësojë sistemi i faturave elektronike e cila ka filluar të zbatohet në një fazë pilot.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska- Koçoska tha sot në konferencë për media se bëhet fjalë për një reformë të rëndësishme që sjell më shumë transparencë, drejtësi dhe stabilitet në ekonominë e vendit dhe është një hap serioz në luftën kundër ekonomisë gri.
Sistemi i ri elektronik, theksoi ministrja, do të zëvendësojë proceset tradicionale të lidhura me përdorimin e gjerë të dokumenteve në letër dhe atyre fizike.
“Me këtë e zvogëlojmë ngarkesën administrative dhe thjeshtësojmë punën e kompanive. Digjitalizimi dhe lirimi nga detyrimet e shumta administrative do t’u mundësojë kompanive të drejtojnë resurset e tyre në aspekte kyçe të zhvillimit dhe rritjes së tyre. Me faturën elektronike, ne e bëjmë ekonominë më të drejtë, më transparente dhe më të hapur për investime dhe e ngremë konkurrencën në një nivel më të lartë. Në këtë mënyrë, ne sigurojmë kushte të drejta pune dhe bazë për rritje të qëndrueshme ekonomike e cila kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve. Nga ana tjetër, për shtetin, fatura elektronike do të mundësojë mbledhjen më efikase të taksave, bazuar në të dhëna të sakta dhe reale, si dhe një luftë më të fortë dhe më të saktë kundër ekonomisë gri”, ka thënë Dimitrieska Koçoska.

Siç shpjegoi drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Elena Petrova, do të testohet nënfaqja API për dërgimin e faturave elektronike – një urë teknike që do të lidhë softuerin e biznesit me platformën e faturimit elektronik dhe do t’u lejojë atyre të komunikojnë në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të standardizuar, që do të thotë se faturat elektronike do të dërgohen dhe merren automatikisht.
Madje është publikuar i gjithë dokumentacioni teknik për nënfaqen API, në mënyrë që subjektet biznesore të mund të fillojnë të përshtatin zgjidhjet softuerike dhe integrimin teknik. Kjo u ka mundësuar të gjitha palëve të interesuara – subjekteve biznesore dhe kompanive softuerike – të fillojnë gjithashtu testimin e shkëmbimit real të të dhënave me sistemin e faturave elektronike në një mjedis testimi të kontrolluar që është një hap thelbësor para zbatimit të sistemit”, tha Petrova, duke bërë thirrje që në pilot fazën të përfshihen në mënyrë aktive të të gjitha kompanitë e TI-së dhe subjekte biznesore.
Përveç thirrjes publike, DAP nëpërmjet ekipeve të saj mbështetëse gradualisht do të kontaktojë dhe do t’u ofrojë ndihmë të menjëhershme të gjitha kompanive që pritet të përfshihen në këtë fazë.


