“Të rri apo të iki?” – dilema e zgjatur e qytetarëve të vendeve të Ballkanit. Rreth kësaj pyetjeje të vështirë për t’iu përgjigjur, rreth ëndrrës dhe shpresës, dhimbjes dhe dështimit, diskutuan tre autorët dje në panel: Ivan Landzhev, Luljeta Lleshanaku, Petar Matović. Për Luljeta Lleshanakun kjo është një dilemë e përgjithshme për shkrimtarët e Europës Lindore, pavarësisht se nuk mund ta quajmë një zgjedhje, sepse nuk varet prej nesh. Por në rastin e shkrimtarit, kjo zgjedhje është akoma më e vështirë për shkak të dy personaliteteve, që kundërshtojnë njëri-tjetrin: personaliteti i zakonshëm, ai në kërkim të një vendi që i ofron kushte më të mira jetese, stabilitet ekonomik, ashtu si edhe social dhe personaliteti i shkrimtarit, për të cilin lënda e parë është historia personale, historia e vendit nga vjen dhe marrëdhëniet me të. Përveç të tjerash, pyetja e madhe që shtrohet në këtë rast është: a është vendi i ri, ai që të ofron këto mundësi të mira jetese, edhe vendi që të ofron edhe mundësitë më të mira si shkrimtar, e parë kjo në disa nivele. Duket se vendi ideal për një gazetar, është ai vend që prodhon dramë, konflikt, emocion, tronditje emocionale (për të njëjtën arsye gazetarët preferojnë frontin e luftës, vendet e krizës). Dhe pengesa tjetër, natyrisht që është gjuha. Zgjidhja më interesante duket kapërcimi i kufijve në nivel letrar dhe jo fizik.
Fëmijëria si shtëpia për një autor, vendi i krijimit dhe i frymëzimit… është ky rrëfimi i Luljeta Lleshanaku dje në Leipzig: “Çdo herë e parë mbetet e ngulitur në kujtesë: dita e parë e shkollës, puthja e parë….Fëmijëria është magjia e takimit të parë me botën, është magjia e zbulimit të gjithçkasë…është shtëpia, vatra e ngrohtë ku kthehemi gjithnjë e më shpesh, sa më tepër plakemi…”
Dje në Leipzig tre autorë Ardian-Christian Kyçyku, Filip Florian dhe Dana Grigorcea, nën moderimin e përkthyesit nga gjuha rumune Georg Aescht, diskutuan rreth temës “Një vend, tre këndvështrime, tri gjuhë”. Autori jeton atje ku e çon mënyra e të shkruarit, u shpreh Kyçyku. Vetë jeta, nga një pikëpamje, është një këmishë force, Nëse do të jetonte aty ku është më mirë, nuk do të arrinte të shkruante letërsi të vërtetë. Kjo është dilema që e përndjek.
Në datat 17-20 mars 2016 ka nisur në Leipzig Panairi i librit Leipziger Buchmess dhe Festivali i saj “Leipzigu lexon”, ngjarja më e madhe e librit të këtij qyteti. Autorët, lexuesit dhe shtëpitë botuese takohen për të mbledhur informacion, për t’u angazhuar në shkëmbime, përvojë dhe në zbulimin se çfarë është e re. Edhe këtë vit autorët shqiptarë, të mbështetur nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me rrjetin TRADUKI, do të jenë pjesëmarrës në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Leipzig. Letërsia shqipe do të përfaqësohet në këtë ngjarje të rëndësishme nga shkrimtarët: Luljeta Lleshanaku, Virion Graçi dhe Ardian Christian-Kyçyku.
“Atdheu, arratia, dëbimi, shpërngulja” është tema madhore rreth së cilës rrjeti TRADUKI ka ndërtuar panelet e diskutimit mes shkrimtarëve të Europës Qendrore dhe Juglindore. Historia e tridhjetë viteve të fundit të këtij rajoni ka qenë histori e shkëputjes nga regjimet totalitare, e përpjekjes për të ndërmarrë rrugën e mundimshme të integrimit në Bashkimin Europian, histori e ndarjeve të dhunshme nga familja e atdheu, histori arratie e dëbimi. Për të gjitha këto ndryshime të rëndësishme që kanë tronditur e vazhdojnë të trondisin jetesën e këtyre vendeve, do të dëshmojnë autorët nëpërmjet letërsisë së tyre.