02 May
Pesë personat e arrestuar për rrahjen e deputetëve dhe gazetarëve tashmë janë dërguar në burgun hetues në Shutkës. Gjykata Penale konfirmoi se ata tashmë po e vuajnë paraburgimin prej tetë ditëve që iu caktua me kërkesë të Prokurorisë së Zvërlevskit. Deri më tani, policia ka ngritur gjithsej 15 kallëzime penale për dhunën e shkaktuar në Kuvend. Përveç pesë personave që janë në paraburgim në Shutkë, inspektori i arrestuar i DSK-së gjendet në arrest shtëpiak, ndërsa për dy të tjerë gjykata vendosi masën e kujdesit. Ndërsa policia ende është në kërkim për shtatë personat e tjerë që ishin pjesë e grupit të dhunshëm në Kuvend.
SPB- Shkup edhe më tej në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike në mënyrë intensive punon në identifikimin e personave që ishin pjesë e ngjarjeve të 27 prillit – thuhet në komunikatën e MPB-së.
Nga Prokuroria pa informata zyrtare nëse kanë ndërmarrë ndonjë hap rreth kërkesës së policisë për arrestimin edhe të organizatorëve të protestës nga nisma “Për Maqedoni të Përbashkët”. MPB-ja përmes një shkrese të veçantë kërkoi përcaktimin e përgjegjësisë së tyre.
Në vazhdimësi po ndërmerren veprime. Për momentin nuk ka hollësi – bëhet me dije nga Prokuroria Themelore Publike.
Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja e paralajmëroi gjykatën të ketë kujdes gjatë caktimit të paraburgimeve. Paralajmërime nga partia e Gruevskit u dërguan edhe për ministrin e Brendshëm, Agim Nuhiun.
E paralajmërojmë edhe ministrin e Brendshëm, Nuhiu të mos ushtrojë presion ndaj të punësuarve në ministri që me çdo kusht të arrestojnë sa më shumë njerëz pa bazë, me qëllim të fitimit të pikëve politike në partinë e tij dhe te elektorati – bëhet me dije nga VMRO-DPMNE-ja.
Policia mes të tjerash heton kush janë personat që me maska u futën në Kuvend dhe i udhëhoqën protestuesit. Për një pjesë të tyre supozohet të ishin policë.
Bojan Stojanovski