Katër muaj pas ngjarjeve të dhunshme në Kuvend, Prokuroria Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion refuzon të përgjigjet nëse janë ftuar të dëshmojnë deputetët e VMRO-së Kërste Mukoski dhe Sashe Vasilevski, të cilët sipas incizimeve të kamerave të sigurisë në Kuvend, kanë hapur dyert e institucionit ligjvënës për t’iu ndihmuar dhunuesve të depërtojnë më lehtë brenda objektit të Parlamentit. Nga kjo Prokurori thonë se lënda është në fazë para hetimore, dhe se sipas normave ligjore nuk lejohet që të zbulohen të dhëna rreth personave që thirren në Prokurori.
Procedura për këtë lëndë e cila udhëhiqet nga ana e Prokurorisë Themelore kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është në fazë para hetimore, që do të thotë se po grumbullohen argumente me qëllim që të vlerësohet nëse në ngjarjen e cila po hetohet ka veprime apo karakteristika të veprave penale, dhe cilët janë kryerësit e tyre, pas cka do të sillet vendim prokurorie, nëse ka dyshime për hapjen e hetimeve. Në secilën fazë të procedurës penale, po ashtu dhe në fazën para hetimore Prokuroria publike mban llogari për respektimin e personalitetit dhe prezumimit të pa fajësisë së secilit person. Procedura për thirrjen e personave në Prokurori bëhet sipas normave ligjore për thirrje të dëshmitarëve. Ndërkaq sipas normave etike ligjore nuk mund të jepen të dhëna se cilat persona janë thirrur. Thirren në vazhdimësi të gjithë personat pa marrë parasysh statusin e tyre personal, shoqëror ose pozicionin e tyre– thonë nga Prokuroria Publike për krim të organizuar dhe korrupsion.
Për ngjarjet e 27 prillit, Prokuroria Themelore ka proceduar nëntë kallëzimi penale për pjesëmarrje në turmë. Të gjithë të dyshuarit u dënuan me kusht, përveç dy prej të dyshuarve të cilët morën kallëzime penale nën dyshimin se kanë kryer veprën penale -tentim për vrasje ndaj deputetit dhe kreut të LR-PDSH-së Ziadin Sela. Dy të dyshuarit për sulmin ndaj Selës, Kire dhe Cane Gjeorgjievski edhe më tej janë në paraburgim.
Në fund të muajit maj Prokuroria Publike njoftoi se në hetimet për ngjarjet e 27 prillit është konstatuar se ka elemente të krimit të organizuar. Për këtë ky organ kërkoi që në hetim të përfshihet Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.
Vjollca Aliti

