Prokuroria Publike, edhe pas rikonstruktimit të hetimit për zhvillimeve në Kuvend, nuk jep përgjigje konkrete nëse ndaj Sashe Vasilevskit dhe Kërsto Mukovski, të cilët shihen në pamje duke hapur dyert dhe duke udhëzuar turmën, do të ngrihet padi penale. Valisevski dhe Mukovski deri tani nuk janë thirrur në Prokurori dhe që të dy vazhdojnë të jenë të lirë edhe pse numri i të arrestuarve për sulmin ndaj deputetëve, ka shkuar në 10. Prokuroria Publike po bën rikonstruktimin e hetimeve për natën e 27 prillit, ndërsa Alsat mëson se pjesë e këtyre hetimeve është çdo njeri që për çfarëdolloj arsye ka qenë prezent në Kuvend natën e përgjakshme, duke përfshirë edhe organizatorët dhe ata që urdhëruan aktin. Raporti i detajuar nga Prokuroria pritet të publikohet javën e ardhshme. Ndërkaq hetimi për dhunën e shkaktuar në Kuvend është zgjeruar. Me kërkesë të Prokurorisë është caktuar masë paraburgimi edhe për 3 të dyshuar. Bëhet fjalë për Olver Oshavkovskin, Sasho Senakovin dhe Nikollçe Dimitrievskin, persona që u identifikuan nga qytetarët pas publikimit të fotove të tyre nga MPB-ja.
Prokuroria Themelore Publike
“Prokuroria Themelore Publike ka sjell vendim për zgjerim të hetimit edhe për 3 persona, për kryerjen e veprës penale tentim vrasje e kryer në bashkëpunim, nga neni 123 ne lidhje me nenin 19 dhe nenin 22 të Kodit Penal. Të dyshuarit u identifikuan mbrëmë me ndihmën e qytetarëve, pas publikimit të fotografive të tyre. Duke u bazuar në faktin se janë plotësuar rrethanat e përcaktuara në ligj, prokurori publik kompetente i ka dorëzuar gjykatëses së procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Shkupi 1, propozimin për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.”
Ndërkaq me propozim të Prokurorisë Publike, gjykatësi i lëndës mbrëmë ka caktuar 30 ditë paraburgim për pesë persona të ndaluar për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, te cilët gjithashtu hetohen për kryerjen e veprës penale tentim vrasje e kryer në bashkëpunim. Gjatë sulmit në Kuvned, Ziadin Sela ishte deputeti që e pësoi më rëndë. Ndërsa personat e parë që u arrestuan për këtë gjë, ishin Kire Gjeorgjevski dhe i ati i tij, të cilët shihen në pamje teksa e tërheqin zvarrë kreun e APSH-së Ziadin Sela.