04 September
Prokuroria për Krim të Organizuar akoma nuk ka arritur në stadin e hetimeve për të ftuar në përgjegjësi deputetet e VMRO-DPMNE-së Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski të cilët më 27 prill hapën portat e Kuvendit për protestuesit e dhunshëm. Pushimi vjetorë ka bërë që hetimet paksa të ngecin. Nga organi akuzës thonë se deri tek përgjegjësia e deputetëve, ka disa procedura të cilët duhet të përfundojnë.
Hetimet janë duke vazhduar në mënyrë intensive. Janë dëgjuar më shumë palë dhe janë grumbulluar prova relevante. Në këtë procedurë është angazhuar edhe Ministria e Brendshme. Pas vlerësimeve, materialet hetuese do të klasifikohen bashkë me palët e dyshuara dhe do të ndahen veprat se cilat duhet hetuar nga ane e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe cilat nga Prokuroria Publike. Nuk mund të themi se kur do të ftohen për dëshmi personat që i përmendët, por fillimisht duhet të vërtetohet vepra “krim i organizuar” dhe të identifikohen të dyshuarit për pjesëmarrje në këtë vepër– bëjnë me dije nga Prokuroria për Krim të Organizuar.
Pas ndarjes së veprave, Prokuroria për krim të organizuar do të kërkojë përgjegjësinë e deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Burime nga ky Institucion shpjegojnë se rrugët hetuese mund të zgjasin edhe të paktën dy muaj deri tek përgjegjësia e deputetëve Mukoski dhe Vasilevski por edhe deputetëve tjerë dhe shërbyesve të rendit në Kuvend.
Ndonëse gati pesë muaj nga zhvillimet e 27 prillit në Kuvend ku një grup protestuesish u futën dhunshëm në Kuvend duke sulmuar deputet e shumicës parlamentare, hetimet akoma janë në stadin e grumbullimit dhe klasifikimit të materialeve. Prokuroria Publike e cila kishte nisur hetimet e këtyre zhvillimeve, më 20 qershor dorëzoi lëndën në Prokurori për Krim të Organizuar e cila tani nga fillimi do të bëj edhe një klasifikim për të kthyer më pas në Prokurori të përgjithshme një pjesë të veprave të cilat mund të mos jenë në kompetencë të saj. Në këtë kuadër, Prokuroria Publike akoma nuk ka përfunduar hetimin e tentativës për vrasje ndaj deputetit Zijadin Sela. Prokurori i cili heton këtë lëndë momentalisht ndodhet në pushim vjetor, ndërsa dy të dyshuarit për tentim vrasje në paraburgim në burgun e Shutkës.
Adrian Kerimi

