Prokuroria Themelore Publike do të kërkojë ndihmë nga Prokuroria për krim të organizuar për hetimin e ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend. Organi themelor i akuzës ka konstatuar së në zhvillimet e të enjtes ka pasur një varg veprash penale dhe se sipas provave materiale këto vepra kategorizohen si krim i organizuar.
Prokuroria Themelore Publike ka konstatuar se në lidhje me ngjarjet që po i hetojmë nga të cilat kanë dalë vepra penale, në këtë fazë është e nevojshme kyçja e Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion për shkak se një pjesë e veprimeve të ndërmarra nga personat e përfshirë në këtë ngjarje janë në kompetencë e Prokurorisë për krim të organizuar – thanë nga Prokuroria Publike.
Nga Prokuroria Publike nuk njoftojnë nëse ky institucion është duke proceduar ndaj dy deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Kërsto Mukoski dhe Sashe Vasilevski të cilët nga kamerat e sigurisë vërehen duke i hapur dyert e Kuvendit për protestuesit e dhunshëm. Megjithatë, në mënyrë indirekte organi akuzës le të kuptohet se deputetët e lartpërmendur do të hetohen nga Prokuroria për krim të organizuar.
Nga verifikimi i materialit të siguruar, Prokuroria ka dëshmuar se ekziston bashkëveprim i disa personave të dyshuar përgjatë gjitha zhvillimeve më 27 prill brenda, por edhe jashtë hapësirave të Kuvendit – theksuan nga Prokuroria Publike.
Për zhvillimet e 27 prillit në Kuvend, Prokuroria Publike procedoi nëntë padi penale për pjesëmarrje në turmë. Të gjithë të dyshuarit u dënuan vetëm me kusht. Vetëm ndaj dy të dyshuarve prokuroria ka iniciuar padi penale nën dyshimet se kanë kryer vepër penale tentim për vrasje ndaj kreut të LR PDSH-së Zijadin Sela. Dy të dyshuarit, Kire dhe Cane Gjorgjievski gjenden në paraburgim. Për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, versionin e tyre e kanë dëshmuar edhe deputetët të cilët kanë qenë të sulmuar nga protestuesit dhe një deputet i VMRO-DPMNE-së. Hetimet për 27 prillit i janë besuar prokurores tashmë pa mandat, Gordana Geshkovska.
Adrian Kerimi