VMRO-DPMNE nuk pranon të flasë për shkarkimin e Marko Zvërlevskit, por insiston që në Kuvend të flitet për zjarret dhe Marrëveshjen e fundit të Maqedonisë me Bullgarinë, shkruan gazeta Lajm. Debati ka kaluar konfrontime personale mes deputetit Ilija Dimovski dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi.
Ilija Dimovski, nga VMRO-DPMNE ka kërkuar nga kryeparlamentari Talat Xhaferi të mos moralizojë por të kujtojë sjelljen e tij në Kuvend kur bllokonte, duke recituar poezi dhe duke heshtur.
Kryeparlamentari Xhaferi i ka rekomanduar Dimovskit të mbarojnë me pikën për shkarkimin e Zvërlevskit dhe pastaj të flitet për çështje tjera, si zjarret, Marrëveshja me Bullgarinë apo deponitë në Tetovë dhe Strugë.
Propozimi për shkarkimin e Zvërlevskit është parashtruar nga Qeveria për shkak, siç theksojnë në sqarim, të kryerjes së paligjshme, jo në kohë dhe gjoja profesionale të funksionit. Gjithashtu, në dokument theksohet edhe se Zvërlevski me sjelljen dhe veprimin e tij ka treguar se nuk është i aftë për kryerjen e funksionit, si dhe për atë që nuk ka parashtruar kërkesë për ngritjen e procedurës penale për raste të parapara me ligjin dhe prishjen e reputacionit të funksionit.
Kërkesa e Qeverisë, për deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare, është e pabazë dhe jo e argumentuar. Ata i referohen nenit 8 nga Kodi zgjedhor, me të cilin, siç thonë, është theksuar se të gjitha procedurat për emërim dhe shkarkim të funksionarëve nuk guxojnë të ndodhin kur janë shpallur zgjedhjet.
Deputetët e shumicës në Kuvend, paralajmëruan se do të heqin dorë nga fjalimet e tyre me qëllim që sa më shpjet të shkarkohet Zvërlevski dhe të zgjidhet prokuror i ri publik shtetëror që të fillojnë reformat në legjislativ.

