Një shtetas i Greqisë është arrestuar në pikë-kalimin kufitar Bogorodicë pasi në makinën që ka qenë duke drejtuar janë gjetur 300 kilogramë lëndë narkotike mariuhanë, e dedikuar për shitje.
I dyshuari drogën e ka transportuar në makinën “Skania” me targa të Greqisë. Përveç lëndëve narkotike ai ka bartur edhe 95 qese oriz me destinacion të fundit, Holandën.
Gjoko Tanasoski, drejtor i Doganës
“Gjatë kontrollit të mallit, e vendosur në gjysmë rimorkion e makinës, doganierët kanë vërejtur 4 paleta të drurit në të cilën kanë qenë të vendosur 95 thasë oriz me destinacion përfundimtar Kerkade, Mbretëria e Holandës. Pas hapjes së të gjitha thasëve, është gjetur mariuhana e mbështjellur me folie plastike në 75 thasë, me peshë rreth 300 kilogramë”
Mariuhana sipas drejtorit të Doganës, është dashur të transportohet deri tek narko-tregjet e Evropës perëndimore.
Gjoko Tanasoski, drejtor i Doganës
“I dyshuari E.P (36) është privuar nga liria ndërsa Drejtoria Doganore e Maqedonisë deri tek Prokuroria Publike Themelore ka ngritur kallëzim penal, nën dyshimin se ka bërë veprën penale prodhim i palejuar dhe lëshim në tregti i lëndëve narkotike”
Vlera e sasisë së drogës së konfiskuar gjatë shitjes do të arrinte vlerën prej rreth 800 mijë euro.

