Është anuluar seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 4-vjeçarit Almir Aliu. Në Gjykatën Themelore të Kumanovës sot duhej të kumtoheshin fjalët përfundimtare të prokurorisë, por seanca është shtyrë për më datë 29 nëntor. Seanca është shtyrë për shkaqe objektive të avokatit të familjes Aliu, Asmir Alispahiq.
Pas gati një vit gjykim, procesi është në përfundim e sipër. Mirëpo, familja Aliu nuk është e kënaqur nga mënyra se si është zhvilluar ky proces deri tani, pasi siç thonë ata, disa herë kanë hasur në njëanshmëri nga ana e Prokurorisë së Kumanovës si dhe kanë vërejtur ndikim politik.
Palës mbrojtëse nuk u janë pranuar tre dëshmitarët e propozuar, të cilët kanë qenë të pranishëm në natën kur ka ndodhur fatkeqësia. Përveç kësaj, para disa ditësh prokurorja i tërhoqi akuzat ndaj vëllait të Bobanit, Bojan Iliq, gjithashtu pjesmarrës në incident dhe i akuzuar për ushtrim dhune ndaj tre familjarëve të Almirit. Pas kësaj reagoi familja Aliu, të cilët thonë se prokuroria është treguar e njëanshme, madje duke e cilësuar se kjo prokurore, Suzana Kusigerska, detyrën e saj është duke e kryer si të ketë qenë avokate e familjes Iliq dhe jo si prokurore.
Ndërkaq, për të njejtën vepër penale “dhunë”, akuzohen edhe Sedat Aliu, babai i Almirit dhe dy familjarët e tjerë Abdulla Aliu dhe Sami Demiri. Edhe avokatët mbrojtës Asmir Alispahiq dhe Ibrahim Bajrami janë kundër këtij veprimi të prokurorisë, pasi sipas tyre është në kundërshtim me provat materiale dhe verbale që ata i kanë prezantuar në gjykatë.
Ata shpresojnë që këto rrethana të mos sjellin deri në rikualifikim të lëndës, pasi kjo do të ishte në favor të të akuzuarit për vrasjen e Almirit, Boban Iliq.
Nëna e Almirit, ajo që më së keqi po e përjeton këtë situatë, me shumë vështirësi dje pranoi të fliste, e cila në mesin e lotëve tregonte për boshllëkun dhe mallëngjimin që e ndjen nga momenti kur e humbi të birin dhe se kjo ka bërë që ajo të mos mund të ju kushtoj shumë kujdes dy fëmijëve të tjerë. Ndërsa, bazuar në mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor, ajo druan se mund të ketë një epilog të drejtë.
Almir Aliu, i shoqëruar nga prindët e tij, mbrëmjen e e 25 qershorit të vitit 2016, kishte shkuar për të kërkuar ndihmë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit. Mirëpo, pas një zënke banale, në afërsi të spitalit vogëlushi Almir Aliu dhe familjarëte tij ushtypën nga një veturë e tipit Mercedez “C200”, drejtuesi i të cilit ishte Boban Iliq dhe i shoqëruar nga vëllai i tij Bojan Iliq. Almiri katërvjeçar, nuk u mbijetoi lëndimeve dhe ndërroi jetë një javë më vonë.

