Zbardhen detaje të reja pas arrestimit të Flodian Plakut, i dyshuar si vrasës me pagesë, përgjegjës për ekzekutimin e Gentian Bejtjas më 15 mars 2024 në fshatin Larushkë të Krujës.
Plaku u ndalua në Vlorë, gjatë një operacioni të koordinuar të Forcave Operacionale dhe Policisë Lokale, ku u kap me dy armë zjarri (pistoleta) në momentin e ndalimit.
Policia ka vënë në pranga edhe bashkëpunëtorin e tij, Juljan Aliaj, për të cilin dyshohet se e ndihmonte në lëvizje dhe logjistikë.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Plaku kishte marrë porosi për të kryer një tjetër vrasje, duke shtuar dyshimet se ai ishte aktiv në një rrjet kriminal që merrej me atentate të porositura.