Alsat 2019-05-18T16:12:56+02:00
Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska në një intervistë për Alsat thekson se me ose pa VMRO-DPMNE-në, propozim-Ligji për Prokurorinë Publike do të miratohet. E pyetur nëse në emër të datës për bisedime me BE-në, do ta pranojnë kërkesën e opozitës për shfuqizimin e akuzave të PSP-së, Renata ka shtuar se kjo do të kalonte vijat e kuqe dhe ligji nuk do të kishte peshë. Deskoska ka folur edhe për negociatat me 8 deputetët e pavarur nga VMRO-ja, nga të cilët pret që të veprojnë si me ndryshimet kushtetuese dhe pa kushte. Lidhur me fshesën e paralajmëruar nga kryeministri Zaev, Deskoska thotë se edhe po u përfshi, do ta konsideroj si të kompletuar misionin e saj në Ministrinë e Drejtësisë.
Dallimet me opozitën sa shkojnë e thellohen, a besoni se do të keni sukses të miratoni propozim ligjin për Prokurorinë Publike?
Unë, që në fillim kur hyra në ministri, publikisht deklarova se njëra nga sfidat më të mëdha do të jetë miratimi i këtij ligji, duke pasur parasysh sa interesa personale dhe të kundërt preken, ndërsa ligji miratohet me 2/3 e votave. Mendoj se i tërë konteksti i miratimit të ligjit, tashmë janë të qarta mesazhet e Bashkësisë Ndërkombëtare, se bëhet fjalë për ligj që është i rëndësishëm për raportin e KE-së dhe vendimin e tyre. Por, edhe është i rëndësishëm si sinjal, nëse partitë që ekzistojnë në shtetin tonë janë vërtetë të përkushtuara në sundimin e së drejtës, nëse angazhohen për drejtësi me të vërtetë, apo vetëm deklarativisht, sepse ky është ligji ku do të testohet qëndrimi i vërtetë i partive politike.
Mendoj se në fund të gjithë do të ballafaqohen me atë se disa kërkesa që vendosen në proces, nuk mund të pranohen sepse bien ndesh me konceptin e sundimit të së drejtës.
Në emër të datës për bisedime me BE-në, a do të hiqni dorë nga nenin 105 i propozim ligjit?
Nuk mund të heqim dorë për shkak se data për hapjen e bisedimeve praktikisht lidhet me cilësinë e ligjit. BE nuk kërkon vetëm të miratojmë ligj, por për ta është shumë e rëndësishme të miratojmë ligj që do të thotë organe efektive për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit, vazhdimin e procedurave, qëndrueshmëri të PSP-së. Do të thotë, janë të qarta parametrat nëpër të cilat mund të lëvizim.
Opozita ju akuzon se nuk i pranoni kërkesat e tyre që më pas me këtë të arsyetoni mosmarrjen e datës për bisedime me BE-në. A jeni të vetëdijshëm se përgjegjësia më e madhe do ti shkoj pushtetit?
Ajo që është dorëzuar si kërkesë nga opozita në lloj të amendamenteve, një pjesë e tyre amendamenteve janë pranuar dhe tashmë janë inkorporuar në tekst. Por ka kërkesa që me të vërtetë janë të papranueshme siç është për shembull prishja e statusit autonom të Prokurorisë Speciale Publike dhe transformimin e saj si repart në një prokurori tjetër. Më pas kërkesa për shkatërrimin e dëshmive dhe ndërprerjen e procedurave që kanë filluar, janë kërkesa që praktikisht edhe nëse pranohen nuk do të nënkuptojnë kurrfarë afrimi drejt BE-së por përkundrazi do të jenë të kritikuara jo vetëm nga qytetarët, jo vetëm nga BE-ja, jo vetëm nga organizatat joqeveritare por nga të gjithë që sinqerisht janë të përkushtuar në parimet e drejtësisë dhe të së drejtës. Kështu që gjithçka që është konstruktive dhe që është në përputhje me standardet evropiane është e pranuar.
Në rast se nuk arrini të keni konsensus me opozitën, a do të filloni negociata me tetë deputetë e përjashtuar nga VMRO-ja?
Ne filluam bisedime me të gjithë, edhe me partitë opozitare edhe me të gjithë deputetët. Ligji u është dorezuar të gjithëve dhe ato 80 deputetë deri tani treguan guxim të votojnë për amendamentet kushtetuese që vërtetë ishte sfidë shumë e madhe për ta. Mendoj se me këtë ata treguan orientimin e tyre euroatlantik dhe ky do jetë testi i dytë për atë orientim euroatlantik.
Çfarë nëse edhe deputetët e pavarur ju kushtëzojnë?
Ne do i dëgjojmë sugjerimet e tyre rreth ligjit, do dëgjojmë çfarë kanë për të propozuar dhe gjithsesi, vijat e kuqe nuk guxojnë të shkelen pavarësisht prej ku vijnë kërkesat.
Në rast se do të përfshiheni nga “Fshesa” e paralajmëruar e kryeministri Zaev, a besoni se e keni përfunduar misionin tuaj në Ministrinë e Drejtësisë?
Ajo që ishte në dijeninë dhe shkathtësinë time më të mirë, e gjithsesi edhe dëshirë e sinqertë për reforma të mirëfillta në kuadër të kompetencave ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, e kemi bërë. Pra, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë është në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë. Ne as nuk guxojmë të gjykojmë, as të shkarkojmë gjykatës, e as që guxojmë të përzihemi në gjyqësorin dhe Prokurorinë. Obligim i Ministrisë është që të vendoset kornizë ligjore që do të thotë implementim të standardeve ndërkombëtare. Unë personalisht si person nuk ngarkohem me atë nëse do të jem e përfshirë me rekonstruksionin ose jo, për arsye se mendoj se e kam kryer punën në mënyrë profesionale, por gjithashtu kam një profesion që më është profesion i përhershëm dhe në të cilin gjithashtu mundem dhe duhet të angazhohem në mënyrë plotësuese në të ardhmen. Por, është me rëndësi që drejtimi është përcaktuar kështu që kushdo që duhet t’i mbarojë ato reforma mendoj se do të ketë bazë të mirë për vazhdimin e asaj që është filluar.
Adrian Kerimi
Loading…



