Tentativa për të zhbllokuar Komisionin parlamentar për politikë sociale, demografi dhe rini ka dështuar. Seanca e planifikuar për të hënën, në të cilën duhej të shqyrtohej Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për sigurimin pensional dhe invalidor në procedurë të shkurtuar, është shtyrë. Ky Komision mbetet i bllokuar që nga dorëheqja e ish-kryetares Ilire Dauti nga Fronti Europian. Një nga opsionet për të zhbllokuar situatën ishte që kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, të emëronte një deputet si kryesues të përkohshëm deri në zgjedhjen e një kryetari të ri. Nga parlamenti njoftuan se Gashi e kishte caktuar deputetin Bejxhan Iljaz për këtë rol, por paraprakisht – Fronti Europian kishte bërë të ditur se ai nuk do të marrë pjesë në asnjë aktivitet parlamentar.
“Sot në Kabinetin e kryetarit ka arritur një letër nga koordinatori i Frontit Europian, ku thuhet se deputeti Bejxhan Iljaz do të mungojë në të gjitha aktivitetet në Parlament. Për rrjedhojë, seanca e Komisionit për politikë sociale, demografi dhe rini, e cila ishte paraparë të mbahet të hënën në orën 11:30, është shtyrë”, thuhet në përgjigjen e Kabinetit të kryetarit të Parlamentit. Mungesa e Iljazit është për arsye personale, por ai ka deklaruar se edhe sikur të ishte i pranishëm, nuk do të pranonte të drejtonte Komisionin, duke bërë të ditur se Gashi kishte marrë vendim kokë më vete, pa u konsultuar me deputetin Iljazin.
“Nuk do të kryesoj me Komisionin për Politikë Sociale për shkak të sëmundjes së një anëtari të familjes. Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, para se të caktonte seancën e Komisionit, nuk më ka konsultuar. Mesazhin për seancën e mora të premten pasdite dhe këtë mëngjes informova shërbimet parlamentare se nuk do ta kryesoj atë. Por edhe po të mos ishin arsyet personale, nuk shoh asnjë arsye të justifikuar për të udhëhequr Komisionin, për shkak të mënyrës se si u votua interpelanca ndaj koleges Ilire Dauti, pas së cilës ajo dha dorëheqje”, ka deklaruar deputeti Bejxhan Iljaz.
Ndërkohë, deputeti tjetër i Frontit Europian, njëherësh zëvendëskoordinator i grupit parlamentar të kësaj partie, Elmi Aziri, i ka bërë thirrje kryetarit të Parlamentit të tërhiqet nga, siç e cilëson ai, skenarët e shumicës parlamentare për të zhbllokuar Ligjin për “branitella” nëpërmjet Komisionit për politikë sociale.
“Nëse dëshiron ta zhbllokojë këtë komision, ai duhet të thërrasë një seancë plenare dhe bashkë me shumicën të shfuqizojë konkluzionin dhe interpelancën ndaj Ilire Dautit. Më pas, me propozimin e grupit parlamentar të Frontit Europian, duhet të zgjedhim sërish zonjën Dauti si kryetare e Komisionit”, tha Aziri, duke theksuar se partia e tij nuk do të propozojë asnjë kandidat tjetër. Aziri akuzoi gjithashtu kryetarin e Parlamentit për përpjekje për të kaluar Ligjin për “branitella” në mënyrë të fshehtë. “I bëjmë thirrje Gashit të mos tentojë ta bëjë këtë përmes ndonjë deputeti tjetër, duke e emëruar si kryesues të përkohshëm. Tentativa e së hënës për mbledhjen e Komisionit konfirmon pikërisht atë që kemi paralajmëruar që në fillim: shkarkimi i Ilire Dautit nga shumica parlamentare kishte për qëllim t’i hapte rrugën miratimit të Ligjit për ‘branitella’. Prandaj, i bëjmë thirrje kryetarit të Parlamentit të tërhiqet nga këto skenarë”, tha Aziri.
Përndryshe, deputetja Ilire Dauti dha dorëheqje në muajin janar të këtij viti, pas votimit të interpelancës ndaj saj nga shumica parlamentare. Interpelancë ndaj deputetes Dauti ishte iniciuar nga partia E Majta e Dimitar Apasievit, me arsyetimin se Dauti kishte shkelur Rregulloren e Parlamentit duke mos e vendosur në rend dite projektligjin për “branitellat”, të propozuar nga deputetja e LSDM-së, Sllavjanka Petrovska. (koha.mk)