09 May
Dështoi përpjekja e vazhdimit të mandatit të prokurores Gordana Geshkovska si kryetare në Prokurorinë e Shkupit. Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski nuk arriti të fitojë mbështetje nga kolegët, për çka edhe u anulua mbledhja. Përveç pikës së rizgjedhjes së Geshkovskës, siç mëson Alsat M, për disa anëtarë nuk ka qenë i pranueshëm edhe propozimi që bashkëpunëtorja e afërt e Marko Zvërlevskit, Bisera Lazarevska të zgjidhet për prokurore e lartë publike. Mbledhja e Këshillit është shtyrë për 16 maj. Kjo është një ditë pasi ti skadojë mandati Geshkovskës. Ajo ka të drejtë të konkurrojë përsëri. Geshkovska ishte pjesë e “bombave” të LSDM-së.
Audio …bomba
“Alo. Gorde, çfarë bën?
Ja, në Qeveri.
A mundesh një minutë?
Mundem,mundem, ja tani do të dal.
Shiko, nesër duhet të zgjidhen, do ta zgjedhim Gordana Geshkovskën, e di këtë.
Aha, po, po, e di për atë që u morëm vesh.
Dhe duhet të zgjidhet një prokuror publik në Prokurorinë publike në Shkup.
Aha. Ashtu.
A ke ti ndonjë intervenim?
Shiko, e di që i shikuam atëherë ata së bashku, nëse të kujtohet, kur ishim te Marko. Ne kemi intervenime, por puna është se atje vetëm me Akademi mund të zgjidhen. Dhe ky ishte problemi. Ti e di se nuk ka më nga jashtë”
Alsat M tashmë publikoi se në lojë janë dy skenarë rreth Gordana Geshkovskës. Një mundësi është që ajo të mbetet si shefe e Prokurorisë themelore të Shkupit edhe gjashtë muaj derisa zgjatë procedura për zgjedhjen, ose vendin e saj pas 15 majit ta zë zëvendësja e saj.
Geshkovska sërish është aktuale në publik me zhvillimet e fundit në Kuvend më 27 prill. Për të, ka indikacione, se eventualisht me paramendim e orienton hetimin për minimizimin e veprës që e bënë demonstruesit, rrahjen e deputetëve në Kuvend. Alsat M ka njoftuar tashmë se Geshkovska ka kërkuar nga kryeshefat e policisë që për të gjitha dëshmitë e mbledhura së pari ta informojnë atë, dhe jo ekipin e prokurorëve që punojnë në këtë rast. Pos zhvillimeve në Kuvend, Geshkovska është e njohur edhe për rastin Monstra. Ajo kërkoi dënime maksimale për të dyshuarit. Vendimi i saj shkaktoi protesta. Një pjesë e qytetarëve që protestuan para gjykatës për thyerje të dritareve të Gjyqit u dënuan me dy vjet e gjysmë burg. Ndryshe nga atëherë, tani Geshkovska nuk ka ndërmarrë asgjë për të përcaktuar përgjegjësinë te organizatorët e protestës “Për Maqedoni të përbashkët”, edhe pse policia e ka kërkuar një gjë të tillë, e as nuk ka ngritur procedurë për ata që thyen dhe shkatërruan sallat parlamentare dhe korridoret. Geshkovska është e njohur për opinionin edhe për disa lëndë të tjera. Ajo udhëhiqte rastin për vdekjen e gazetarit Nikolla Mlladenov, si dhe rastin “Merimanga” në të cilën u dënua pronari i Televizionit A1, Velija Ramkovski.
Bojan Stojanovski

