Një tjetër figurë kyçe në triumfin e Kupës së Botës 2018 i tha lamtumirë futbollit.Vetëm 31 vjeç, Samuel Umtiti ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli, një vendim i marrë pas vitesh problemesh me një gju të dëmtuar.
Pa një klub që kur kontrata e tij me Lilë skadoi qershorin e kaluar, mbrojtësi ka zgjedhur të kthejë një faqe të re:
“Kam pasur një karrierë intensive, me ulje-ngritje. Kam dhënë gjithçka me pasion dhe nuk kam asnjë keqardhje”, shkroi ai në Instagram.
Pasi u zhvillua në Lion dhe më pas u transferua te Barcelona, Umtiti do të jetë përgjithmonë i lidhur me Kupën e Botës në Rusi. I shoqëruar me Rafael Varane, ai ishte një shtyllë e mbrojtjes franceze dhe, më e rëndësishmja, shënoi golin vendimtar në gjysmëfinale kundër Belgjikës, një gol me kokë që është bërë pjesë e kujtesës kolektive.
Didier Deshamps, i cili e prezantoi atë në ekipin kombëtar në Euro 2016, e kujtoi atë me fjalë të përzemërta në një deklaratë nga Federata Franceze e Futbollit: “Sam luajti një rol të rëndësishëm në fitimin e Kupës së Botës.
Të gjithë do ta kujtojnë golin e tij kundër Belgjikës, por dua të theksoj gjithashtu natyrën e tij plotësuese me Varane, solidaritetin dhe guximin me të cilin luajti pavarësisht dhimbjeve të gjurit. Ai meritonte një fund të ndryshëm, por mund të jetë krenar për gjithçka që arriti.”
Pas Matuidit, Ramit, Varanes dhe Mandandës, Umtiti bëhet kështu fituesi i pestë i Kupës së Botës 2018 që tërhiqet nga futbolli. Paraqitja e tij e fundit për “Les Bleus” daton në qershor 2019, në Turqi.