Qeveria e Maqedonisë deri në pranverë do të përqëndrohet në reformimin e katër sektorëve strategjik në vend, të cilat do të ndihmojnë në forcimin e sundimit të ligjit në vend. Burime nga qeveria për Almakos deklarojnë se në periudhën në vijim do të punojë për reformat në gjyqësi, shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës, në administratën publike si dhe në fushën e medias dhe shoqërisë civile, njofton Almakos.
“Fushat kyçe në të cilat janë parashikuar masa me këtë Plan dhe në përputhje me rekomandimet e KE –së dhe Priebe-së janë: Reformat në gjyqësor; Reformat në shërbimet e sigurisë dhe të inteligjencës; Reformat në administratën publike; Reformat në fushën e medias dhe shoqërisë civile. Gjatë periudhës së kaluar, përfaqësues të Qeverisë, Sekretariati për Çështje Evropiane dhe ministritë e linjës kanë mbajtur takime konsultative me përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile dhe Komisionin Evropian në të cilën diskutuan projekt versionet e planit”, thonë nga qeveria, për Almakos.
Ata paralajmërojnë se në fundjavë do të ketë konsultime në Parlament me opozitën dhe me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, për të përfunduar Planin, ku edhe do të vazhdojnë të zbatojnë masat e Planit 3-6-9, që afati përfundon deri në fund të muajit shkurt, të këtij viti.
Nga Qeveria bëjnë me dije se gjatë vendosjes së prioriteteve për reforma kanë rekomandimet e Pribe-së dhe të organizatave të shoqërisë civile.
“Në procesin e përgatitjes të draftit të Planit 3-6-9 për 6 muajt e ardhshëm, përfaqësuesit e Qeverisë, ministritë dhe autoritetet kanë ndjekur udhëzimet e Komisionit Evropian, rekomandimet në të dy raportet të Reinhard Priebe, si dhe rekomandimet e organizatave të shoqërisë civile paraqiten në propozimin e OJQ-së për reforma urgjente demokratike (dokumenti i njohur si Bluprint 2)”, thonë nga Qeveria.
Gjatë javës së ardhshme, është planifikuar të publikohet lista e detajuar e masave nga Plani 3-6-9, të cilin Qeveria është e përkushtuar të zbatojë deri në mars 2018”, thonë nga qeveria.
Delvina Kërluku
Almakos.com