Është menduar të ketë bashkëpunime mes partive politike shqiptare në Maqedoni, por ky bashkëpunim mes Aleancës Shqiptare dhe Lëvizjes BESA, është koalicion historik, kështu thonë analistët politik. Arsyeja që disa janë kundër bashkëpunimit mes partive shqiptare është për shkak të interesave të tyre personale. Pra, sipas analistëve, ata që e kundërshtojnë këtë koalicion janë pikërisht ata që e ndjejnë rrezikun e humbjes së pushtetit. Kurse, përkrahjen e intelektualëve e shohin si dritë jeshile dhe tregues se në këtë bashkim nuk ka gisht VMRO-ja, partia e cila në kohën kur ishte në qeveri me BDI-në i solli shqiptarët para kolapsit, shkruan Almakos.
Abdylvehap Ejupi, njohës i rrethanave politike, gjykon se sot është momenti historik, njëherësh dhe mundësia e fundit që partitë politike shqiptare më të vogla, organizatat joqëveritare e intelektualet t’i lëne pas vetes interesat grupore, partiake e të tjera dhe të bashkohen në mbrojtje të interesit shqiptar në Maqedoni, në bllokun e vetëm, më natyror në historinë e shkurtër të vendit që ta përkrahin paktin BESA-ASH.
“Kur themi këtë me automatizëm nënkuptohet që kundër kësaj janë të gjitha partitë maqedonase dhe ato ‘shqiptare’ që kanë bashkë-qeverisur me to gjatë gjithë këtyre viteve, dhe se është e palogjikshme, mbi të gjitha e pamundur që një faktorizim dhe unifikim të tillë të shqiptarëve të ketë gisht ndonjë faktor maqedonas, e aq me pak VMRO-ja, nën regjimin e së cilës shqiptarët përjetuan dëmin dhe kolapsin më të madh”, deklaroi Ejupi, për Almakos.
Sipas tij, kjo etiketë është nga ata që hapur kanë shpallur vëllazërim – bashkimin me maqedonasit e Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë, sipas Ejupit në pamundësi të gjetjes argument, ata, shpifin dhe hedhin akuza të tilla që të përbaltin këtë koalicion shqip – shqip, i cili sipas Ejupit nga shpifësit perceptohet si rrezik, nga të cilët do të humbin pushtetin, fillimisht lokal, e pastaj edhe atë qendrore.
Nga këndvështrimi i profesorit universitar, Arbër Çeliku teknologjia e ka fjalën kryesore, mediumet luajnë rolin më fisnik në formësimin e opinionit publik sipas tij, në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet, që opinioni publik të ndikojë në formësimin e opinionit mediatik.
“Në rrjetet sociale në hapësirën tonë, në mungesë edhe të ligjit përkatës, po ndodh një katrahurë e vërtetë informative, ku secili mund të shkruajë çfarë të dëshirojë, të etiketojë, fyejë, shajë, përçmojë dhe të mos japë aspak llogari. Për mua është e pakuptimtë dhe absurde të etiketohen partitë tona politike për koalicione të fshehta me partitë maqedonase në dëm të korpusit kombëtar, sepse përvoja e deritanishme e pluralizmit ka qenë një tregues i qartë, që veprimi në një njësi integruese institucionale dhe politike çon domosdoshmërisht edhe në partneritete, koalicione dhe bashkëqeverisje”, deklaroi Çeliku, për Alamkos.
Çeliku thotë se kushdo që del e e tematizon për të keq një veprimtari të këtillë komunikuese dhe politike, e ka gabim dhe aq më tepër ndonjë parti politike, e cila në të kaluarën e vet ka përvoja të bashkëpunimit, partneritetit dhe bashkëqeverisjes së këtillë.
“Gjërat është dashur të ndryshohen me hedhjen e hapave të shoqërisë pluraliste, megjithatë, siç po duket, askush nuk e ka guximin të dalë e të thotë se na kanë munguar kapacitetet intelektuale dhe politike për një gjë të tillë, ndonëse vullneti dhe qëllimi kanë qenë aty, si projekti i federalizimit mbase latent i Iliridës, konflikti i vitit 2001, por ja që nuk u formësuan deri në fund. E them këtë, sepse unë e përshëndes çdo lloj bashkëpunimi të elitave politike me shtresën intelektuale shqiptare në Maqedoni dhe me plot bindjen pohoj se ky bashkëpunim është i domosdoshëm, kur dihet fare mirë se në çdo shoqëri me traditë demokratike bërthama intelektuale është strumbullari kryesor i progresit dhe avancimit. Për fat të keq, kjo bërthamë, si pasojë e rrethanave të përçudnura, që kanë ndodhur vitet e fundit mbi sipërfaqen tonë të ndjeshme shoqërore, është rrudhur shumë, megjithatë është koha, që ajo të zgjohet dhe ta shtrijë ndikimin e saj edhe në politik bërje, që të ndikojë edhe në riparimin e domosdoshëm shoqëror”, tha profesori universitar Çeliku.
Naser Pajaziti, gazetar thotë se në koalicionin ASH-BESA nuk ka ndikim VMRO-DPMNE.
“Kjo parti po përballet me problemet e saja të brendshme dhe se kjo frymë defetiste brenda radhëve të saja nuk ka komoditet për të kalkuluar në favor të tjerëve, sidomos në kampin politik shqiptar. Teza se ka gisht partia që deri tani drejtohet nga Gruevski dihet se u lansua nga oponentët politik, vetëm e vetëm për të nxirë gjithçka që i rrezikon në balotazh”, tha Pajaziti, për Almakos.
Ai shton se ka pasur tendenca për përafrim, por sipas Pajazitit këto iniciativa kanë qenë vetëm formale dhe thotë se kanë ngelur në koluaret e grupimeve lobuese të interesave të ndryshme.
“Është vështirë të akceptohet një përafrim i tillë mes këtyre dy kampeve, sepse ka kundërshtime të brendshme dhe derisa VMRO-DPMNE nuk reformohet është shumë naive t’i besohet kësaj teze të lansuar vetëm si propagandë gjatë fushatës. Ndoshta do të kishte sinjale për ndonjë kalkulim, nëse VMRO-DPMNE do të shkonte në balotazh në Qytetin e Shkupit, apo në ndonjë komunë tjetër, ku vendimtar janë votat e shqiptarëve Por, kjo nuk ndodhi dhe se VMRO-DPMNE po merret me krizën e brendshme partiake”, deklaroi Pajaziti.
Mevludin Imeri
Almakos.com